Donald Tramp ka shkaktuar konfuzion me planin e tij për rindërtimin e Rripit të Gazës. Në rrjetin social personal “Truth”, ai ngjall sërish dyshime për shpërnguljen e përhershme të banorëve palestinezë.
“Izraeli mund t’ia kalojë Rripin e Gazës Shteteve të Bashkuara në fund të luftimeve. Palestinezët mund të rivendosen në komunitete shumë më të bukur e më të sigurtë në rajon, me shtëpi të reja. Do të kishin një mundësi për jetuar të gëzuar, të lirë dhe të sigurtë. Nuk do të jetë nevoja për ushtarë amerikanë.”
Më herët, zyrtarët e lartë amerikanë sqaruan se bëhet fjalë për një shpërngulje të përkohshme.
“Ajo çka ai po ofron me bujari është mundësia që Shtetet e Bashkuara të ndihmojnë me heqjen e rrënojave, armatimit, rindërtimin e shtëpive bizneseve në mënyrë që njerëzit të kthehen, por ndërkohë duhet të jetojnë diku. Ky nuk është një veprim armiqësor.”
Plani i ka pëlqyer Kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu.
“Gazanët që duan të largohen, le të largohen. Ç’të keqe ka këtu? Mund të ikin, mund të kthehen, por Gaza duhet rindërtuar dhe kjo është ideja e parë e mirë që kam dëgjuar.”
Mundësia e shpërnguljes së përhershme të banorëve të Gazës kundërshtohet ashpër nga vendet e rajonit, ato të Bashkimit Europian, Turqia, Rusia e Kina.
Tv Klan