Presidenti i sapozgjedhur Donald Trump ka konfirmuar se Nikki Haley dhe ish-sekretari i Shtetit, Mike Pompeo nuk do të bashkohen me administratën e tij.

“Unë nuk do të ftoj ish-ambasadoren Nikki Haley, apo ish-sekretarin e shtetit, Mike Pompeo, për t’iu bashkuar administratës Trump, e cila aktualisht është në formim. Më pëlqeu dhe vlerësova shumë punën me ta më parë dhe do të doja t’i falënderoja për shërbimin e tyre ndaj vendit tonw”, ka postuar Trump në rrjetet sociale.

Haley, një ish-guvernatore e Karolinës së Jugut, e cila shërbeu si ambasadore e SHBA-së në Kombet e Bashkuara, e mbështeti Trumpin për president pavarësisht se e kishte kritikuar ashpër kur ajo konkurroi kundër tij në zgjedhjet paraprake të partisë.

Pompeo, i cili gjithashtu shërbeu si drejtor i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës nën Trump, është përmendur në disa raporte mediatike si një sekretar i mundshëm i Mbrojtjes dhe ishte parë gjithashtu një kandidat i mundshëm presidencial republikan, përpara se të shpallte në Prill 2023 se nuk do të kandidonte.

Trump po vijon takimet me ata që do të përfaqësojnë kabinetin e ri. Mediat shkruajnë se presidenti i sapozgjedhur është takuar me investitorin e shquar Scott Bessent, i cili është një kandidat i mundshëm për Sekretarin e Thesarit të SHBA. Deri më tani, vetëm Susie Wiles është emëruar, si shefe e stafit të tij.

Tom Homan , ish-drejtori në detyrë për Emigracionin dhe Zbatimin e Doganave supozohet të jetë sekretari i tij i ardhshëm i sigurisë kombëtare, ndërsa Guvernatorja e Dakotës së Jugut, Kristi Noem mendohet të jetë sekretarja e tij e brendshme. Senatori i Floridës, Marco Rubio, është një kandidat për sekretarin e shtetit dhe Prokurori i Përgjithshëm i Teksasit thuhet se mund të jetë Ken Paxton.

Klan News