Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump ka zgjedhur Marco Rubio-n në postin e Sekretarit të Shtetit. Në një deklaratë në rrjetin social Truth, Trump thotë se do të emërojë senatorin e Florida-s në krye të Departamentit të Shtetit.

“Marco është një udhëheqës shumë i respektuar dhe një zë i fuqishëm i lirisë. Ai do të jetë një mbrojtës i fortë i kombit tonë, mik i vërtetë për aleatët dhe luftëtar i pafrikësuar, i cili nuk do të stepet kurrë nga kundërshtarët. Mezi pres të punoj me Marco-n për ta bërë Amerikën e botën, të sigurt dhe madhështore sërish”, thuhej në deklaratën e Trump.

Prapaskenat e zgjedhjes së Marco Rubio-s

Që prej vitit 2011, ai shërben në Senatin amerikan. Aktualisht ai është nënkryetar i Komitetit për Inteligjencën e huaj si dhe ulet edhe në Komitetin për Marrëdhëniet e Huaja.

Siç raportojnë disa prej mediave amerikane, ai është mbështetur për ta marrë këtë post nga shefja e kabinetit që Trump vendosi sapo fitoi zgjedhjet, Susie Wiles. Kjo e fundit duke se e ka ndihmuar Rubio-n që të mposhtë emra besnikë të Trump që nga administrata e tij e parë, si për shembull, Richard Grenell (ish-ushtrues i detyrës së Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare) dhe Robert O’Brien (ish-Këshilltar për Sigurinë Kombëtare).

Pas fitores së Trump në zgjedhje, Rubio foli për CNN dhe tha se SHBA-ja po hyn në një “epokë të politikave të huaja pragmatike”.

Bota po ndryshon shpejt. E dimë, kundërshtarët po bashkohen. Koreja e Veriut, Irani, Kina, Rusia, po rrisin koordinimin. Kjo kërkon që ne të jemi shumë pragmatistë dhe të mençur se si do të investojmë në politikat e jashtme dhe çfarë të bëjmë”, tha ai.

Rubio fillimisht ka qenë përkrahës për Ukrainën, por më vonë votoi kundër një pakete fondesh ku i akordoheshin Kievit zyrtar 61 miliardë Dollarë.

“Nuk jam në krahun e Rusisë, por fatkeqësisht realiteti është se mënyra si do të përfundojë lufta në Ukrainë është nëpërmjet një marrëveshje të negociuar. Dhe unë dua, ne duam dhe besoj edhe Donald Trump, që Ukraina të ketë më shumë avantazh në këto negociata”, tha ai.

Kujtojmë se gjatë zgjedhjeve presidenciale të 2016-ës, Rubio kandidoi kundër Trump në Primaret brenda Republikanëve. Pasi u mund nga Trump në Florida, Rubio e mbështeti në kandidaturën e tij ndaj Clinton dhe shërbeu si këshilltar jozyrtar për strategjinë për Amerikën Latine.

Në vitin 2024, përsëri ai mbështeti Trump dhe ishte në listën e ngushtë të kandidatëve para se Trump të zgjidhte si zv/president senatorin e Ohio-s, JD Vance.

Kush është Marco Rubio

Marco Rubio, 53 vjeç, ka lindur në Miami dhe e konsideron qytetin si shtëpinë e tij. Babai i tij ishte banakier, ndërsa mamaja pastruese në hotel, të dy emigrantë nga Kuba.

Fillimisht Rubio u zgjodh në Dhomën e Përfaqësuesve. Në 2010-ën atij iu kërkua nga drejtuesit e partisë që të dilte nga gara për Senat dhe të kandidonte për Prokuror të Përgjithshëm. Por në një deklaratë për mediat ai tha se nuk do ta bënte diçka të tillë. Fakti që kishte dhënë fjalën e bëri që të qëndronte në garë dhe të fitonte mandatin e parë si Senator. Ai u rizgjodh sërish në 2016-ën dhe 2022-shin.

Në 2016-ën hyri në garën presidenciale kundër Trump. Fillimisht fitoi në Minesota. Fitoret e tij të tjera ishin në Washington D.C dhe në Puerto Rico. Ai u largua nga gara pasi Trump e mundi në shtetin e vet, në Florida. Gjatë debateve brenda republikanëve Trump dhe Rubio kanë pasur replika, me presidentin e zgjedhur që e ka quajtur “Marco i vogël”. Rubio i është përgjigjur duke e fyer për madhësinë e duarve dhe duke e quajtur “artist mashtrues” dhe “vulgar”.

Marrëdhënia e tyre u përmirësua kur Trump hyri në Shtëpinë e Bardhë. Rubio u tërhoq nga fjalët që tha dhe deklaroi se ishin në kuadrin e fushatës. Në këto zgjedhje ishte kandidat potencial për t’u bërë zv/president, por Trump zgjodhi JD Vance./tvklan.al