Gazmend Oketa: “Përqendrohemi fillimisht tek zona e cila është përkufizuar si zonë me rrezikshmëri të lartë, është zona ku ka qenë vendosja e fabrikës së demontimit, mendohet dhe ka në sipërfaqe, por mendohet që dhe në thellësi mund të ketë predha të pa plasura.”
Me një shpjegim grafik të mirë-organizuar ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa ka bërë publik të gjithë mënyrat për të kthyer në zonë të banuar në kraterin që hapi shpërthimi i 15 marsit në Gërdec të Vorës.
Gazmend Oketa: “Duke qëndruar tek rreziku i mundshëm i ndotjes ambientale deri në momentin që flasim, të paktën në dijeninë që unë kam, të gjitha analizat e bëra qoftë të ajrit të ujit apo të tokës rezultojnë pa probleme.”
Bujar Nishani: “Strukturat e ministrisë së Brendshme kanë ndjekur, koordinuar dhe bashkëpunuar me strukturat e tjera të specializuara vendase dhe të huaja në realizimin e operacioneve të kërkim-shpëtimit dhe të pastrimit të zonës nga municionet me koordinimin e ndihmës edhe me mbështetjen ndërkombëtare. Me propozim të ministrisë së Brendshme këshilli i ministrave nxori vendime për mbështetje financiare për një shumë totale prej 16.6 milion euro për ndërtimin e banesave të dëmtuara, për mbështetjen financiare të familjeve të viktimave, për dhënien e pagesës për punëtorët që punonin në fabrikën e çmontimit të municioneve, për mbulimin e shpenzimeve ditore të banorëve të prekur nga kjo fatkeqësi. Gjithashtu ministria e Brendshme ka ndihmuar financiarisht familjet e viktimave me ,bulimin e shpenzimeve funerale me një shumë prej 100 mijë dollarësh.”
Ambasadori i Këshillit të Evropës Helmuth Lohan, u shpreh se ai është i gatshëm të ndihmojë me asistencë financiare institucionet shqiptare, por një fakt i tillë nuk mund të zbatohet pa pasur në duar raportin përfundimtar të gjendjes së sigurisë në perimetrin prej 800m katrorë. Ai kërkoi gjithashtu se familjet e dëmtuara nuk duhet të rikthehen në këtë zonë të konsideruar ende me rrezikshmëri të lartë. Një gjë është fakt, në Shqipëri ekziston një sasi prej 98 mijë ton municione luftarake për të cilat është hartuar dh enjë strategji asgjësimi, vetëm pas 2 javësh ministri i Mbrojtjes Oketa dhe krerët e lartë të shtetit do ta bëjnë publike atë./tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani