Debati për arsimin privat e ka zhvendosur “Dialogun me Shqipërinë” në qytetin e Fierit.

Kreu i selisë rozë, Edi Rama, gjatë një takimi të zhvilluar me mësues e pedagog e cilësoi vendosjen e TVSH-së për arsimin privat një barrë të dyfishtë për të gjitha familjet, të cilat zgjedhin këto institucione për të shkolluar fëmijët e tyre.

Edi Rama: “Këta prindër të cilët i çojnë fëmijët në arsimin privat sepse arsimi publik nuk iu garanton ato për të cilat i paguajnë taksat shtetit paguajnë dy herë edhe që shteti të ndërtojë një infrastrukturë të besueshme për arsimin publik edhe që të shkollojë fëmijën e tyre në arsimin privat. Kjo është një politikë, e cila rrjep dy herë të njëjtin qengj”.

Rama garantoi nga qyteti i Fierit se pas fitores në zgjedhjet parlamentare të 2009-tës pjesë e programit qeverisës të socialistëve do të jetë edhe heqja e TVSH-së për arsimin privat.

Edi Rama: “E në rast se këta obskurantë që qeverisin sot nuk do ta heqin tatimin mbi vlerën e shtuar mbi arsimin do të jetë një nga vendimet e para që ne do të marrim me të fituar zgjedhjet”.

Faza e dytë e “Dialogut me Shqipërinë” e quajtur “Rruga e ideve” ka në fokus të tij hartimin nga socialistët të politikave që zhvillojnë arsimin e fëmijëve dhe të rinjve./tvklan.al