Turizmi në Elbasan ka njohur rritje krahasuar me një vit më parë. Sipas raportimeve, rritje ka pasur veçanërisht në bashkitë Belsh, Gramsh, Elbasan dhe Librazhd.
Në Elbasan më e frekuentuar mbetet qendra historike e qytetit, kalaja, bazilika, muzeu etnografik dhe objektet e kultit. Pra në qytet më i shprehur ka qenë turizmi historik e kulturor.
Në lagjen “Kala’ gjejmë turistë të ndryshëm. Mes tyre veçojmë një çift nga Spanja. Ata shprehen të mrekulluar nga mikpritja shqiptare dhe bukuritë natyrore.
“Kemi qenë në Berat, Fier, Krujë, Sarandë, Tiranë dhe tani jemi në Elbasan. Keni një vend fantastik.
Këtu më pëlqen natyra, peizazhet janë fantastike. Mund të gjesh gjithçka, ka male, dete si dhe zona historike,” u shpreh një turist nga Spanja.
Në lagjen Kala të Elbasanit janë në funksion disa biznese suveniresh. Njëra nga shitëset shprehet se gjatë kësaj stine numri i tyre është më i madh dhe se dëshirojnë të blejnë si kujtime ato me motive nga Shqipëria.
“Produkti më i pëlqyer janë varëset e çelësave, magnetet dhe artistike të ndryshme. Ka shumë turistë, më shumë gjatë stinës së verës. Ka goxha emigrantë, por dhe të huaj nga vende të ndryshme si Spanja, Franca, Gjermania edhe Turqia.”
Një çift me banim në lagjen Kala në Elbasan jeton dhe punon jashtë vendit. Por gjatë verës kthehen në Shqipëri.
Gruaja tregon se ka një banesë në këtë lagje që e ka përshtatur si bujtinë akomodimi. E sheh si një mundësi për të zhvilluar biznesin. Por sipas saj Elbasani duhet të punojë më shumë.
“Po kemi banesë këtu në kala dhe një pjesë të banesës e japim me B&B dhe booking për turistët, sidomos për të huajt që vijnë dhe janë të interesuar të shohin, qoftë bukuritë e Elbasanit, qoftë që janë transit për të shkuar diku tjetër.”
“Turistë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, por edhe jashtë vendit mund të vijnë edhe të relaksohen në Elbasan. Thjesht duhet të japin një farë impulsi, promovim sidomos pjesës tjetër të qytetit.”
Në qarkun e Elbasanit janë të shprehura disa lloje turizmi siç është ai historik, kulturor, natyror, kulinar, aventurës dhe ai shëndetësor etj.
Vëmendja është përqendruar në investimet në infrastrukturë, në akomodim, në promovim dhe në zhvillimin e sa më shumë aktiviteteve artistike, kulturore dhe festave tradicionale në të gjitha zonat.
Klan News