Tejzgjatja e procesit zgjedhor po i pengon shqiptaret për shtegtuar për pushime verore jashtë vendit. Agjencitë turistike pohojnë se numri i rezervimeve gjatë javëve të fundit ka rënë ndjeshëm krahasuar me një vit më parë, me rreth 20%, dhe për këtë drejtojnë gishtin tek zgjedhjet e 28 qershorit.
Ornela Zholaj: “Ka pasur një bllokim le të themi gjatë 2 javëve të fundit të rezervimeve, gjithmonë duke u nisur nga vitet e mëparshme. Mund të ketë një rënie në këtë moment, flasim vetëm për periudhën e zgjedhjeve diku tek 15 deri në 20% të rezervimeve. Po ky numër ka qenë shumë i lartë para kësaj periudhe dhe pritet që gjithashtu të balancohet”.
Edhe katër vjet më parë zgjedhjet u shkaktuan probleme bizneseve turistike në vend, pasi klientët e rregullt të tyre, punonjësit e administratës apo biznesmenët ishin të pa vendosur për t’u larguar për pushime. Por këtë vit agjencitë turistike po përballen me një frenim më të madh të rezervimeve dhe pohojnë se shqiptaret e kanë lënë gjithçka për çastet e fundit.
Ornela Zholaj: “Njerëzit janë të interesuar për të udhëtuar, për të bërë pushime, por një pjesë e madhe e tyre akoma nuk kanë të saktë, periudhën e saktë që do duhet të bëjnë këto pushime. Jemi kthyer në sistemin e rezervimeve në momentin fundit, gjë që na sjell ndoshta probleme ne operatorëve”.
Turqia, Egjipti, Kroacia apo Mali i Zi janë destinacionet kryesore edhe për këtë vere. Por frenimi i rezervimeve nga njëra anë vë në rrezik biznesin e agjencive turistike, ndërsa nga ana tjetër shton mundësinë që shqiptarët të shpenzojnë më shumë për pushime në vend. Vetëm vitin e kaluar sipas Bankës së Shqipërisë shqiptaret shpenzuan për udhëtime jashtë vendit, mëse 1 miliardë euro, shifër kjo e krahasueshme me të ardhurat që siguruam nga turistët e huaj./tvklan.al
Gazetari: Fjorald Zguro