Turizmi shqiptar po vijon të regjistrojë rritje pavarësisht krizës ekonomike globale që në mjaft vende të botës pritet të tkurrë flukset turistike.
Ministri i Turizmit, Ardian Turku, ka raportuar se 3 muajt e pare te këtij viti numri i turisteve te huaj ne vendin tone është rritur me 7%, ndërkohë që edhe të ardhurat e siguruara nga ky sektor po ecin më mirë se parashikimet.
Ardian Turku: “Tremujori i parë i këtij viti ka një rritje prej 7% të numrit të turistëve të huaj që kanë vizituar Shqipërinë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2008. Kjo do të thotë që Shqipëria mbetet një destinacion atraktiv turistik në këtë krizë ekonomike botërore. Në funksion të zhvillimit të turizmit u premtuan rrugët Durrës-Morinë, Lushnjë-Vlorë, ristrukturimi i Rrugës së Bregut e të tjera e të tjera, nga të cilat disa janë realizuar dhe disa janë në përfundim.”
Kreu i turizmit tha gjithashtu se po punohet edhe me sinjalistikën turistike dhe përmirësimin e imazhit fale panaireve dhe spoteve televizive ne mediat ndërkombëtare.
Deklaratat u bënë gjatë një konference me temë bilanci dhe sfidat e turizmit ne prag të sezonit.
Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, e pranishme ne këtë konference u shpreh se janë marrë masat që edhe ky sezon turistik të kalojë pa probleme për sigurinë shëndetësore të turistëve.
Anila Godo: “Bregdeti ynë është përgjithësisht brenda normave të lejuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Analizat e ujit të detit dhe të rërës dëshmojnë se nga 72 stacione pushimi nga Velipoja deri në Sarandë vetëm 11 nuk plotësojnë kriteret e OBSH-së, ndërsa një sërë vendesh të pranuara së fundmi në BE janë ende larg këtyre standardeve”.
Edhe Ministri i Mjedisit, Lufter Xhuveli, ka kërkuar ndërgjegjësim të bizneseve dhe të pushtetit vendor për mbajtjen pastër të mjedisit, kjo edhe në shërbim të turizmit.
Turizmi është një nga sektorët prioritarë të ekonomisë shqiptare, teksa kryeson listën e eksporteve, fale te ardhurave te gjeneruara nga mbërritjet turistike.
Po ashtu turizmi zë rreth 11% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërkohë që në këtë sektor janë të punësuar afro 138 mijë persona ne te gjithë vendin.
Javën e shkuar, një prej gazetave prestigjioze botërore, e përditshmja “The Guardian”, e cilësonte Shqipërinë si destinacionin turistik te këtij viti./tvklan.al