Televizioni Kombëtar Klan ka shënuar së bashku me golat e Bogdanit, Duros dhe Dallkut në fitoren e Shqipërisë ndaj Maltës, transmetimin e tij të 500 satelitor. Sinjali i prodhuar për ndeshjen e së mërkurës nga televizioni Klan është transmetuar në disa kanale të vendeve që Shqipëria ka në grupin e parë të Botërorit, si Suedia, Danimarka, Portugalia, Malta e Hungaria, por dhe Kosova e Maqedonia e deri tek Azia e largët Al Jazia Sport.

Teknologjia e përdorur nga televizioni Klan përkon në mënyrë perfekte me të gjithë satelitet që mbulojë Evropën. Kjo bën të mundur partneritetin mjaft komod me televizionet prestigjioze kontinentale dhe botërore, disa prej të cilëve gjigandi gjerman ZDF, Mediaseti italian e Canal+ në Francë. Pajisjet e markave lider në prodhimin e sinjaleve satelitore kanë transmetuar drejtpërdrejt zgjedhjet në Kosovë e Maqedoni, festën madhështore të Pavarësisë së Kosovës, aq sa edhe vetë kosovarët ndiqnin ngjarjet nëpërmjet ekranit të TV Klan.

Studiot lëvizëse janë në gjendje të transmetojnë nga çdo skaj i Shqipërisë jo vetëm ndeshjet e futbollit, të mbulojnë edicionet informative e ngjarjet e mëdha mbarëkombëtare, por janë mbuluar nga transmetimet satelitore edhe ngjarjet artistike. Dëshmi e kësaj është Maratona e Këngës, nata e Ulqinit.

Teknologjia e lartë dhe inxhinierë të kualifikuar në shërbim të informimit dhe në shërbim të televizionit e bën Klanin një partner të domosdoshëm për mediat europiane për zonën e Ballkanit. Së fundmi gjigandi shtetëror italian RAI ka kërkuar të bashkëpunojë me Tv Kombëtar Klan për të transmetuar Live vizitën e kryetarit të dhomës së deputetëve në parlamentin italian Janfranko Fini më 15 shtator.

Prodhimi i sinjalit të ndeshjes Shqipëri – Maltë ka shënuar jo vetëm transmetimin e 500 satelitor të TV Klan por edhe konfirmimin zyrtar të këtij televizioni si partner i kanaleve televizive më të mëdha në Europë./tvklan.al

Gazetari: Erion Todhe