Lajme Arkiva 2003

Ky është Arditi 3-vjeçar njëri prej 13 fëmijëve të familjes Zyberi i cili u dogj në vatër në shtëpinë e tij në Has të Kukësit dy ditë më parë. Ai është transportuar në mesditë i vetëm, pa shoqërinë e prindërve apo të ndonjë të afërmi në pavionin reanimator në pediatrinë e qendrës spitalore universitare Nënë Tereza në tiranë.

Shoqërimi për në Tiranë është bërë me helikopterin e Ministrisë së Shëndetësisë nga mjeku pediatër i spitalit të Kukësit. Pas ekzaminimit në repartin reaminator mjekët e kryeqytetit janë shprehur se gjendja e tyre shëndetësore është e rëndë si pasojë e djegies së shkallës së 4, gjë që i ka sjellë anemi të theksuar si edhe infeksion në këmbë.

Arditi pritet ti nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjikale ku do t’i priten 4 gishta në këmbën e majtë dhe një gisht në këmbën e djathtë, të cilët janë krejtësisht të djegur.

Mjekja pediatre në pavionin reaniator Rajmonda Niko pas konsultës mjekësore shprehet:

Po mbas terapisë, konservative pra mjekimit reanimues që do ti bëhet fëmijës me antibiotik, transfuzione, plazme, gjaku, mjekimi lokal të anësive, mendohet se do të bëhet amputacioni ose prerja e gishtave të këmbës sepse janë të gjithë të nekrotizuar. Katër të anës së majtë“.

Gazetarja: Po këmbët i shpëtojnë?

Rajmonda Niko: Për fat të mirë këmbët në pjesën e sipërme do të shpëtojnë. Ndërhyrja kirurgjikale do të kryhet pasi Arditi t’i nënshtrohet transfuzionit të gjakut në mënyrë që të rikuperoj disi aneminë e rënë të shkaktuar nga djegia.

Tragjedia në familjen Zyberi në Has të Kukësit ku të dy prindërit janë me të meta mendore, ndodhi si shkak i të ftohtit, ku vëllai 2 vjeç i Arditit vdiq, ndërsa vetë Arditi i vogël u dogj pranë vatrës ku kërkonte të ngrohej.

Pas kësaj tragjedie të rëndë shtatë prej fëmijëve të tjerë do të sistemohen të shtëpia e fëmijës në kryeqytet “Zyber Hallulli”, dy në fshatin SOSdhe më i madhi në moshë në azilin e pleqve po në kryeqytet./tvklan.al