Laert Haxhiu ishte në shoqërinë e dy shqiptarëve të tjerë, kur u kap në Janinë. Teksa shofer ishte 35-vjeçari Juxhin Bajrami, identiteti i të cilit u bë i ditur më herët nga mediat greke, personi tjetër rezulton të jetë 22-vjeçari Firdeus Berberi, i kërkuar nga vendi ynë për plagosje të rëndë me dashje.

Është Policia e Shtetit, e cila me anë të një njoftimi për mediat, pasditen e kësaj të mërkure, konfirmon identitetin e tij.

“Nga verifikimet e kryera ndërmjet Policisë greke dhe Policisë shqiptare, ka rezultuar se njëri prej këtyre shtetasve, konkretisht shtetasi Firdeus Berberi, 22 vjeç, lindur në Pogradec, ishte i shpallur në kërkim kombëtar nga Drejtoria Vendore e Policisë Korçë. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec ka caktuar ndaj 22-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, në mungesë, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, pasi më 25 prill të vitit 2022, dyshohet se në bashkëpunim me një shtetas tjetër, Firdeus Berberi ka plagosur rëndë, me armë zjarri pistoletë, shtetasin Johan Muçllarit”, thuhet në njoftimin e policisë.

Firdeus Berberi

KUSH ËSHTË FIRDEUS BERBERI? Ai akuzohet si një nga dy autorët e plagosjes me armë zjarri të Johan Muçllarit, ngjarje e ndodhur në Prill të 2022-it në Pogradec. 2 muaj pas kësaj ngjarjeje, policia arrestoi njërin prej tyre, Griseld Maxharin, ndërsa Firdeus Berberi u shpall në kërkim (Lexo më shumë). Prej asaj kohe, ai vijonte të ishte në kërkim. Tashmë, pas arrestimit në Janinë, Policia e Shtetit thotë se ka nisur procedurat “për shpalljen në kërkim ndërkombëtar dhe ekstradimin e këtij shtetasi drejt Shqipërisë”.

Johan Muçllari

NGJARJA e 2022: Johan Muçllari u qëllua me armë zjarri pas një konflikti në lagjen Voloreka me dy autorët e dyshuar, Maxharin dhe Berberin. Autorët e ngacmuan me fjalë Johan Muçllarin, i cili iu kthye dhe palët u konfliktuan me grushta fillimisht, e më pas sherri degradoi në përdorimin e armës dhe thikës nga autorët. Për pasojë, Muçllari, në atë kohë 22 vjeç, mbeti i plagosur, duke marrë një plagë me armë zjarri në këmbë dhe një tjetër plagë me thikë në kokë (Lexo më shumë).

(Video e ngjarjes së 2022-it)

Johan Muçllari është djali i Jetmir Muçllarit, pronarit të hotel Voloreka në Tushemisht, biznesi i të cilit në verën e 2020 u bë shënjestër e sulmeve me armë zjarri. Hoteli i tij u qëllua me 100 plumba në pikun e sezonit turistik dhe ku shënjestra ishte pikërisht dhoma ku flinte Johan Muçllari.

ARRESTIMI I LAERT HAXHIUT: Kujtojmë se të martën, Policia e Shtetit njoftoi arrestimin e të shumëkërkuarit Laert Haxhiu, në Janinë të Greqisë. Ai lëvizte me një makinë BMW, kur u arrestua nga autoritetet atje, së bashku me dy shqiptarët e tjerë. Por përpara se të viheshin në pranga, ata tentuan t’i iknin policisë greke. Gjatë kësaj kohe përplasën të paktën 3 makina të tjera e më pas përfunduan duke goditur edhe një bordurë. Krahas arrestimit, policia u gjeti 3 shqiptarëve dhe 1400 Euro (Lexo më shumë).

Në foto Laert Haxhiu

Laert Haxhiu ishte në kërkim që prej vitit 2017, kohë kur u dënua fillimisht nga Gjykata e Lushnjes me 18 vjet burgim për akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë, si autor i një ngjarje në 2016 ku mbetën të plagosur dy persona. Ngjarje kjo që si zanafillë ka hakmarrjet që lidhen me konfliktet e vjetra të bandës së Lushnjes. Sakaq Haxhiu gjithashtu rezulton person i përfshirë edhe në çështje të trafikut drogës në Shqipëri dhe i dënuar nga Gjykata e Durrësit./tvklan.al

(Detaje nga arrestimi i Laert Haxhiut në Greqi)