I është dhënë “lamtumira e fundit” 24-vjeçarit nga Tetova e Maqedonisë, i cili u mbyt në Zvërnec të Vlorës në përpjekje për të shpëtuar dy të rejat që po mbyteshin.
“Alsat – M” tha se Benjamin Ferati është përcjellë të dielën për në banesën e tij të fundit në fshatin Kamjani të Tetovës.
Në varrimin e të riut “hero”, i cili humbi jetën në përpjekje për të shpëtuar jetë, morën pjesë një numër shumë i madh njerëzish.
Mbytja e tre të rinjve në plazhin e Zvërnecit është ngjarja më e rëndë që ka ndodhur në brigjet Shqiptare këtë verë.
Dy kushërirat, njëra nga Vlora dhe tjetra nga Tirana po laheshin në det, në zonën e Portanovos, kur dallgët e mëdha i kanë vënë vajzat në vështirësi duke bërë që të kërkonin ndihmën e mikut të tyre që ndodhej në breg.
Kështu, 24 – vjeçari nga Tetova, Benjamin Ferati ka vrapuar në ndihmë të dy vajzave.
Ai ka arritur të nxjerrë në breg 25 – vjeçaren Xhoana Cani, e cila nuk mundi të mbijetonte për shkak të ujit të tepër që kishte pirë.
Ferati është rikthyer në det për të ndihmuar 27 – vjeçaren Manuela Maraj, e cila jetonte në Babicë të Madhe të Vlorës. Por këtë herë, asnjëri prej tyre nuk ka mundur të dalë i gjallë nga ujërat e detit.
Të pafundme janë komentet në rrjete sociale për viktimat, mbi të gjitha për 24 – vjeçarin Ferati, i cili mësohet se kishte pak ditë që ndodhej në Vlorë me pushime, e që është konsideruar hero për veprimin e tij./tvklan.al