Një i ri shqiptar është dënuar në Britaninë e Madhe për prodhim lëndësh narkotike. Sipas mediave britanike, E. Lisi, 30 vjeç, kishte punuar në vende të ndryshme si ndërtim apo lavazh, por gjatë pandemisë e pa veten shumë keq nga ana financiare.
Ai udhëtoi nga Leeds në një shtëpi në Blackfell të Sanderland-it për të rritur kanabis. Mirëpo, planet e tij u prishën, kur policia u vu në dijeni të aktivitetit të paligjshëm.
Lisi ishte një prej tre personave që u mundua të largohej nga dritarja në momentin e ndërhyrjes së policisë. Madje ai u përpoq të arratisej me vrap, por shumë shpejt ra në pranga siç duket nga pamjet e publikuara në mediat britanike.
Në shtëpinë e Lisit u gjetën 130 rrënjë kanabis. Avokati i shqiptarit tha se 30-vjeçari do të paguhej 200 Paund për këtë punë, ndërkohë që është rekrutuar nga persona të tjerë.
“Familja në Shqipëri varet nga ai. Kjo ishte një mënyrë e thjeshtë për të marrë ato para që atij i nevojiteshin patjetër”, tha avokati i tij.
Gjyqtari i çështjes e dënoi me 9 muaj burg të riun.
“E kuptoj që ke pasur pak njohuri për operacionin që po kryhej dhe rolin që kishte ti në të”, tha Matthew Happold në fund të seancës. /tvklan.al