Një një intervistë ekskluzive për “Opinion” në Tv Klan, deputeti i PS-së dhe ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj ka folur për herë të parë publikisht pas 6 vitesh në një emision televiziv për dosjen “Babalja”, ku ka qenë i përfolur dhe vëllai i tij, çështje për të cilën Ervin Salianji u dënua me 1 vit burg.
Gjatë fjalës së tij, Xhafaj ka folur dhe për dënimin e vëllait të tij në Itali për trafik kanabisi dhe për arsyet pse ai nuk i është dorëzuar autoriteteve italiane për të kryer dënimin me burg pas vendimit të Gjykatës së Apelit.
Blendi Fevziu: Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, vëllai i dënuar në Itali për trafiqe dhe rri në Shqipëri dhe nuk kryen dënimin, a është normale?
Fatmir Xhafaj: Nuk është dënuar për atë gjë Salianji se do të ishte dënuar dhe ti se edhe ti ke bërë emision për atë gjë, do ishte dënuar dhe Aliabej edhe Gaz Bardhi, por ata erdhën në prokurori, u paralajmëruan për kallëzim të rremë dhe thanë “normalisht, ne nuk e dimë historinë e kësaj”.
Blendi Fevziu: Pse vëllai rrinte në Shqipëri dhe nuk kryente dënimin?
Fatmir Xhafaj: Kjo histori ka ndodhur në vitin 2000, në vitin 2002 është ndaluar nga autoritetet italiane. Është akuzuar për trafik në fushën e kanabisit për një episod që kishte ai vetë.
Blendi Fevziu: Është arrestuar në Itali në vitin 2002.
Fatmir Xhafaj: Po, ka qëndruar 1 muaj e gjysëm, është dëbuar nga Italia me ekspuls për 5 vjet. Është dënuar, është larguar, nuk është mbajtur nën hetim. I kanë thënë “ik italianët”, është fakt.
Blendi Fevziu: Pra, ishte në burg dhe nga burgu është përzënë?
Fatmir Xhafaj: Po, është përzënë dhe ka ardhur në Shqipëri me ekspuls, dënim administrativ. I kanë thënë “ik”. Ka vazhduar procesi gjyqësor. E ka ndjekur procesin gjyqësor me avokatë, ka kërkuar dhe vetë të shkonte, nuk e kanë kërkuar. Vendimi ka marrë fuqi në 2011-2012, vendimi i formës së prerë i Apelit.
Blendi Fevziu: Me sa u dënua nga Apeli?
Fatmir Xhafaj: Me 7 vjet e 2 muaj burg, por dënimi i tij përfundimtar, i janë falë 3 vjet dhe ka pasur 4 vjet. Autoritetet italiane e kanë arkivuar dosjen, nuk e kanë kërkuar.
Blendi Fevziu: A ka pasur një letër nga autoritetet italiane që kërkonte ekstradimin? Ka qenë vëllai juaj në kërkim ndërkombëtar?
Fatmir Xhafaj: Zero, zero.
Blendi Fevziu: Po avokati a e dinte që ai ishte dënuar me burg?
Fatmir Xhafaj: Po si nuk e dinte, e dinte vetë personi.
Blendi Fevziu: Pse nuk shkoi ta bënte burgun?
Fatmir Xhafaj: Duhet të vijë një letër që të shkosh të bësh burgun. Nuk i erdhi. Nëse vëllai im do të shkonte në gjykatën shqiptare do ta bënte njohjen e vendimit, nuk dënohej sepse ishte parashkruar.
Blendi Fevziu: Por kur shkoi në Itali, çfarë bëri?
Fatmir Xhafaj: U paraqit me iniciativën e tij, u është dashur autoriteteve italiane që të gjenin dosjen sepse nuk kishin dosjen. Ishte e arkivuar. U nxorr dosja, u paraqit, nga 4 vjet nuk ka arritur të bëjë as gjysëm e atij dënimi. Ka dalë jashtë, ka hyrë në punë dhe ka pasur vetëm detyrimin të mos largohej nga Italia. Ka qenë në marrëdhënie pune.
Blendi Fevziu: Tani është në Shqipëri?
Fatmir Xhafaj: Ka ardhur në Shqipëri pas zgjedhjeve të 2021-shit. Që atëherë hyn e del normalisht në Itali dhe në çdo vend tjetër të planetit.
/tvklan.al