“Kemi tashmë një draft të parë të analizës së situatës aktuale në tre fusha” u shpreh Fatmir Xhafaj.

Pasi ekspertët e Komisionit të Posaçëm kanë bërë një analizë të thelluar të çdo institucioni që ka lidhje me mirëqeverisjen, antikorrupsionin dhe sundimin e ligjit, vetë kryetari i tij Fatmir Xhafaj nuk është në gjendje të thotë se ku është me emergjente nevoja për ndryshime ligjore

Fatmir Xhafaj: Sinqerisht gjenden mjaftueshëm komponentë dhe nënkomponent që kanë nevojë për ndërhyrje.

Qëllimi i këtij komisioni të posaçëm është të amendojë ligjet në të tre shtyllat kryesore të shtetit, por Xhafaj thotë se nuk është tabu dhe ndërhyrja në Kushtetutë, por vetëm në rast se këtë e kërkojnë vetë institucionet.

Fatmir Xhafaj: Nuk e di ndoshta mund te ketë nevojë, nëse ekspertët do të propozojnë. Sa shoh unë nuk ka.

Ai siguron se socialistët nuk kanë në planet e tyre ndryshime kushtetuese as për institucionet e drejtësisë, një akuzë që është ngritur nga opozita për qëllimet e fshehura të kësaj nisme.

Fatmir Xhafaj: Ndryshime kushtetuese për drejtësinë jo. Vetë institucionet e drejtësisë kanë propozuar jo pak, por 140 nene për ndryshim, por nga ne s’ka të tilla.

E gjithë puna si në fazën e parë dhe atë të fillimit të hartimit të amendimeve do të bëhet nga 70 ekspertë të huaj dhe vendas, këta të fundit të sjellë nga vetë institucionet pas ftesës së bërë nga kryetari Xhafaj.

Fatmir Xhafaj: Në një moment gjykuam dhe thamë pse ne këtë proces t’jua lejmë këtyre ta bëjnë vetë. Sillni disa ekspertë, le të mblidhen ata vetë. Bëjeni vetë analizën, bëjeni vetë planin e masave…

Por kësaj ftese nuk ju përgjigjën pozitivisht disa institucione të drejtësisë që u përgjigjën pothuajse në korr e me të njëjtat argumente.

Fatmir Xhafaj: Po nëse ata janë bërë bashkë do të thotë që është korporatë dhe kjo nuk është korrekte. Unë nuk e mendoj dot kështu. Atëherë do të kishte një problem të madh nëse do të ishte kështu. E para kjo tregon se ata janë të pavarura, besoj.

Ftesën për të marrë pjesë në komision dhe për të sjellë ekspertët e saj e ka refuzuar dhe opozita.

Tv Klan