Llambi është shumë i prekur nga fakti që prokura e cila vjehrri i ndjerë i kishte dhënë duke e lënë si kujdestar të tij në vend të 8 fëmijëve, është përdorur në mënyra të ndryshme. Ai përballet në “Shihemi në Gjyq” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan me Donikën, gruan e tij që e ka përdorur prokurën për të lejuar nipin që të përdorte pronën.

Prej 20 vjetësh, ka një konflikt mes Llambit dhe familjes së Donikës që i ka bërë akuza të ndryshme duke e quajtur edhe vjedhës. Donika refuzon të pranojë gabimet e saj dhe thotë se gjithçka do të bëhet nga e para.

Një tjetër problem është rruga ku ndodhet prona pasi pak metra më tutje ndodhet edhe shtëpia e çiftit, por nipi ia ka bllokuar hyrjen. Donika i thotë se Llambit se ai nuk e ka zgjidhur këtë problem, kurse ky i fundit i kujton një episod paksa të çuditshëm.

Donika: Zonja Eni, unë kam punuar 38 vjet!

Eni Çobani: Po shumë mirë që ke punuar!

Donika: Kur kam vajtur te ky zotëri, e gjeta me një lopatë bishtgjatë dhe një palë opinga llastiku! Kam punuar 38 vjet!

Eni Çobani: Si, ky s’ka punuar fare?

Donika: Edhe ai ka punuar, edhe unë kam  punuar!

Llambi: Moj lëre punën ti!

Donika: Ore zotëri, se të mora që nga “A”-ja dhe ke vajtur te “Zh”-ja. O znj. Eni, është bërë me dy shtëpi, me një shtëpi në Itali, me një shtëpi në Shqipëri dykatëshe, me dy makina, një në Itali, një në Shqipëri. Kur e gjeta unë, vetëm një lopatë kishte dhe një pelë me karro!

Llambi: Me pela ishin të gjithë, kush kishte pelë, ishte i pari në atë kohë po ulu atje! Në 2017-ën, për problemin e rrugës, na thirrën atje se pati një zënie… u rrahën në parcelë! Ai kishte dhënë tokën me qira, u rrahën me kunatin e kësaj, me vëllain e kësaj, 14 shkurt, ditën e Shën Valentinit! U rrahën për dashuri!

Donika: Shumë mirë u rrahën, në një ditë të shenjtë, ti ç’punë ke? Ç’punë të prish ty se u rrahën ata ditën e Shën Valentinit?

Llambi nuk e lë më kaq, por tregon se edhe është shpifur për të  sikur ka qenë në burg. Kësaj Donika i përgjigjet në mënyrë absurde dhe thotë se “burgu për burrat është”, pavarësisht se i shoqi s’ka vuajtur ndonjë dënim.

Llambi: Në 19 korrik të 2017-ës, kishte motra e kësaj një dasmë. Nuk arrita të vija, kisha prerë edhe biletën e avionit bashkë me djalin, kjo sa kishte filluar punë, unë sa kisha filluar punë. Mirëpo, çfarë ndodhi? Unë për motivet e punës sime, atje kontrollohesha nga prokuroria, policia, gjykatat e të tëra për të mos pasur asnjë denoncim, asnjë shkelje.

Eni Çobani: Po, e çfarë ndodhi pastaj?

Llambi: Tani, shteti italian, unë plotësoj formularët e s’kisha asnjë lloj denoncimi ose prokurë në kundërshtim, u interesuan në komisariatin e policisë së zonës se mos kisha gjë në proces, ata morën vesh këtë dhe çfarë nxorën znj. Eni? Nxorën që Llambi ka rënë në burg prandaj nuk erdhi këtu!

Donika: Nuk është problem, burgu është për burrat! Do dilje prapë!

Eni Çobani: Po mirë, ka qenë në burg?

Donika: Jo, nuk ka qenë në burg!

Eni Çobani: Po mirë atëherë, pse duhet të shpifet që ka qenë në burg Llambi?

Donika: S’ka gjë!

Eni Çobani: Si s’ka gjë?

Donika: Burgu për burra është!/tvklan.al