Gjyshja çame e Luela Myftarit, të ftuarës së programit në “Shije Shtëpie” në Tv Klan ia ka rrëfyer shpesh mbesës dëbimin nga shtëpia e saj në Çamëri. Ajo e mbante mend fare mirë ngjarjet e tmerrshme që rrodhën njëra pas tjetrës derisa i vranë vëllain 21-vjeçar para syve. Rrëfimin e gjyshes së Luelës ka detaje që nuk i përkasin vetëm asaj, por të gjithë grave të Çamërisë që u trajtuan në mënyrë çnjerëzore e më pas u dëbuan.
Luela Myftari: Pengu i saj i madh ishte të shkonte te ato shkallë ku zbritën dhe atë mëngjes u shpërthyen dyert nga ushtria greke, i rreshtuan të gjithë në hollin e madh për të bërë apelin, për t’i tërhequr vathët nga veshët. Për shembull, nënat çame po t’i shohësh, i kanë veshët të çarë sepse ua kanë shkulur florinjtë nga veshët, kanë marrë pasurinë, kanë bastisur shtëpitë, kanë vrarë djemtë e shtëpisë dhe janë detyruar të largohen ashtu si mundën, vetëm me një çarçaf, me disa tesha, rroba dhe të drejtohen drejt Shqipërisë në atë kohë sepse ishte gjuha që i bashkonte, ishte një komunitet shqiptar që jetonte në Çamëri./tvklan.al