Për luftën në Ukrainë, Trump gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2024 deklaroi se do ta zgjidhte konfliktin edhe para inaugurimit të tij. Por që nga zgjedhja e tij, ai nuk e ka përsëritur këtë premtim dhe këshilltarët tani pranojnë se do të duhen muaj për të arritur ndonjë marrëveshje paqeje.
Trump ka treguar se Kievit mund t’i duhet të lëshojë disa territore për të arritur një marrëveshje, një pozicion i mbështetur nga këshilltarët e tij kryesorë.
Ndërsa nuk kemi ende një plan konkret të prezantuar, shumica e ndihmësve të tij kryesorë favorizojnë ndërprerjen e procesit të anëtarësimit të Ukrainës në NATO, si pjesë e çdo marrëveshjeje paqeje.
Ukrainasit janë të ndarë në qëndrime sa i përket asaj që do sjellë Trump per Kievin.
“Ne dëshirojmë që Trump do të jetë personi që do të na ndihmojë t’i japim fund luftës. Megjithatë, kemi dyshime të mëdha nëse do të ndodhë. Shpresojmë për më të mirën, por me siguri nuk do të ketë ndryshime të shpejta dhe pozitive”, thonë ukrainasit.
Për banorët e Kharkiv, lufta duhet të përfundojë së shpejti.
“Nuk jam vetëm unë, por të gjithë ukrainasit presin që lufta të përfundojë së shpejti. Njerëzit po vdesin. Putinit nuk i ka mbetur asgjë më në fushëbetejë, as njerëz e as armatime”, tha njëri prej banorëve.
Edhe për banorët e Donetskut shpresa është se presidenca e Trump mund të sjellë paqe në rajon.
Ndërsa disa prej tyre janë optimistë për shanset për të ndaluar konfliktin, të tjerë nuk mendojnë se lufta mund të marrë fund së shpejti.
Klan News