Në bazë të një marrëveshjeje që koalicioni “Së bashku kundër trafikimit të fëmijëve” do të nënshkruajë me shtetin grek, fëmijët shqiptarë, që trafikohen nëpër rrugët e shtetit fqinj, nuk do të mund të kthehen masivisht dhe në mënyrë të paorganizuar. Edhe pse marrrëveshja nuk është nënshkruar ende, policia greke prej disa muajsh nuk ka kthyer asnjë fëmijë pa njoftuar më parë homologët e tyre shqiptarë siç kanë bërë këto vitet e fundit. Sekretarja e përgjithshme e koalicionit “Së bashku kundër trafikimit të fëmijëve”, zonja Lida Leskaj, pohon se para dhe gjatë Lojërave Olipmike punonjës të këtij koalicioni kanë monitoruar në pikat kufitare me Greqinë dhe ka rezultuar se nuk është kthyer asnjë fëmijë.

Lida Leskaj: “Natyrisht, nuk mund të themi që fenomeni i trafikut nuk ekziston, është, por këto janë hapat e para për ta parandaluar ose të themi që ta organizojmë dhe të marrim nën mbrojtje fëmijët të trafikuar ose në rrezik trafikimi. Është ndaluar ai kthim masiv i fëmijëve të pashoqëruar, lënia në kufi e tyre nga ana e policisë greke.”

Sipas Leskaj, numri i fëmijëve të pashoqëruar dhe të trafikuar në Itali dhe në Greqi këto vitet e fundit ka ardhur në ulje. Në vitin 2001 rezultojnë 929 fëmijë të tillë; në vitin 2002 795 në; vitin 2003 223 dhe gjatë tetëmujorit të parë të këtij viti vetëm 203 minorenë të pashoqëruar.

Ndërsa vetëm në Greqi rezultojnë 120 fëmijë që trafikohen dhe shfrytëzohen për punë të ndryshme. /tvklan.al