Ndryshimet klimatike kanë ulur vit pas viti numrin e shpendëve ujorë dimërues në Liqenin e Prespës së Madhe. Situatën e kanë konstatuar grupet e ornitologëve dhe specialistëve të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura, të cilët po zhvillojnë censusin e shpendëve ujorë dimërues për këtë vit.
Rezulatatet e para të procesit tregojnë se krahasuar me vitin e kaluar nuk ka ndryshime në llojet e specieve, por ka rënie të numrit të individëve, si pasojë kryesisht e ndryshimeve klimatike.
Popullatat e rosës laramane me çafkë dhe bajzës kanë pësuar rënien më të ndjeshme të numrit të individëve, ndërkohë që Prespa mbetet habitati kryesor i pelikanit kaçurrel.
Specialistët venë theksin tek ruajtja e habitateve të specieve të ndryshme,të cilët, në kushtet kur ato dëmtohen, shtegëtojnë në zona të tjera. Për herë të parë këtë vit në census do të përfshihen edhe ujëmbledhësi i Moglicës dhe rezervuari i Shtyllës, si vende ku ka prezencë shpendësh. Në shkallë vendi censusi po zhvillohet në 34 zona dhe paralelisht në 143 vende të botës.
Tv Klan