Ndryshimet klimatike kanë ulur vit pas viti numrin e shpendëve ujorë dimërues në Liqenin e Prespës së Madhe. Situatën e kanë konstatuar grupet e ornitotologëve dhe specialistëve të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura, të cilët po zhvillojnë censusin e shpendëve ujorë dimërues për këtë vit.
Rezultatet e para të procesit tregojnë se krahasuar me vitin e kaluar nuk ka ndryshime në llojet e specieve, por ka rënie të numrit të individëve, si pasojë kryesisht e ndryshimeve klimatike.
Popullatat e rosës laramane me çafkë dhe bajzës kanë pësuar rënien më të ndjeshme të numrit të individëve, ndërkohë që Prespa mbetet habitati kryesor i pelikanit kaçurrel. Specialistët venë theksin tek ruajtja e habitateve të specieve të ndryshme, të cilët në kushtet kur ato dëmtohen, shtegëtojnë në zona të tjera.
“Speciet që kanë pësuar më tepër rënie janë rosat, si përshembull rosat laramane me çafkë apo specie si bajza. Rëndësi duhet ti kushtojmë më tepër habitateve sepse ato mundësojnë që speciet të gjejnë hapësirat e duhura për të qëndruar dhe rimëruar në vend, prandaj jo vetëm specie por dhe habitate”, tha Klajdi Duro.
Për herë të parë këtë vit në census do të përfshihen edhe ujëmbledhësi i Moglicës dhe rezervuari i Shtyllës, si vende ku ka prezencë shpendësh. Në shkallē vendi censusi po zhvillohet në 34 zona dhe paralelisht në 143 vende të botës.
Klan News