Pisha e zezë në Llogara po dëmtohet nga insekti i njohur si Procesionaria. Agjencia e Zonave të Mbrojtura po monitoron situatën pas shfaqjes së sëmundjes.

“Nuk është në faza shumë të rënda të themi apo shumë të rrezikshme, por jemi në fazat e para të zhvillimit dhe duke u mbajtur kontrolle arrijmë të kuptojmë edhe si po ecën ky dëmtues në një grumbull pyjor”, tha Nexhip Hysolakoj.

Sipas specialistit, dëmtuesi është në fazën e larvës.

“Sipërfaqja më e madhe, më e prekur është sipërfaqja afër qendrës së parkut Llogara, pra në lartësinë nga 900 deri në 1000 metra dhe vjen duke u zvogëluar. Sa më lart shkon grumbulli mbi nivelin e vet, kjo për shkak edhe të kushteve atmosferike, pra kushteve klimaterike sepse sa më ftohtë të jetë aq më pak ky dëmtues mund të zhvillohet”, tha Hysolakoj.       

Kjo nuk është hera e parë që pisha e zezë ne Llogara preket nga kjo sëmundje, ndërsa autoriteteve iu duhet që të menaxhojnë situatën.

Klan News