Reagimi i tregtarëve shqiptarë të karburantit ndaj uljes globale të çmimit të arit të zi është mjaft i zbehtë. Në disa pika të shitjes të karburanteve në Tiranë, sot 1 litër naftë ka vijuar të tregtohet në shifrën rekord prej 172 lekësh, e fiksuar prej mëse një muaji, kohë që përkonte me pikun e çmimeve të karburanteve në bursë.
Ndërkaq në disa pika të tjera të pakicës evidentohet një ulje prej vetëm 2 lekësh për litër si për naftën Euro Diesel, atë të dy ashtu edhe për benzinën. Gjithsesi një gjë e tillë bie ndesh me vetë deklaratat e grosistëve të cilët premtuan pak ditë më parë se gjatë kësaj jave çmimet në vend do të ulen në të paktën 5 lekë për litër.
Grosistët justifikohen me sasinë e naftës rezervë që kanë ende në depozitat e tyre të blerë me çmimet e mëparshme, por ari i zi ka braktisur nivelin rekord të 147 dollarëve për fuçi të regjistruar mëse 1 muaj më parë dhe kuotohet tashme në 120 dollarë për fuçi, pra 20% pak e ndërkaq ekspertët ndërkombëtarë parashikojnë në vazhdimësi një tendencë në rënie të çmimeve bazuar në rritjen e prodhimit të naftës si dhe të dhënat e ekonomisë amerikane, por konsumatori shqiptar duhet të presë akoma që çmimi i karburantit në vend të ulet me 20%./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro