Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Amerikanët mbeten të shqetësuar, se rritja e ekonomisë së tyre pritet të njohë rënie, si pasojë e rekordeve të larta të çmimit të naftës. Të shqetësuar mbi ndikimin e krizës së energjisë mbeten edhe europianët të cilët po përballen me një rritje ekonomike më të ulët se sa parashikimet, gjatë viteve të fundit.

Analistët e shohin zgjidhjen në ekuilibrimin e situatës, në rast rritjes së inflacionit në vendimet e rezervës federale për një kurs gradual të ngritjes së interesit bazë për dollarin amerikan. Nafta bruto në SHBA arriti çmimin 49 dollarë për fuçi, ndërkohë që parashikimet për Shtatorin mbeten për një çmim mesatar deri në 47.8 dollarë.

Ekonomistët gjerësisht bien dakord me faktin, se çmimet e larta të naftës janë një erë e kundërt ndaj ekonomisë amerikane. Por ka edhe ekspertë që mendojnë se shitja e naftës në 50 dollarë për fuçi, nuk është e mjaftueshme për të nxjerrë jashtë binarëve ekspansionin amerikan./tvklan.al