12 të vdekur është bilanci i deritanishëm i uraganit të fuqishëm Milton, që të mërkurën goditi brigjet perëndimore të Floridës, duke krijuar vorbulla gjigante ajri, siç duket në këto pamje.
Kur prekën tokën, erërat e fuqishme arritën një shpejtësi maksimale prej 250 km/orë, duke shkatërruar qindra ndërtesa përgjatë Bregut Perëndimor, përfshirë Tampan. Këto pamje tregojnë edhe momentet e vështira të raportimit edhe të gazetarëve në zonat e prekura nga uragani.
Ndërsa këto janë pasojat shkatërrimtare që la Milton mbi Florida. Mbi 2 milionë shtëpi e biznese mbeten ende pa energji elektrike nga dëmtimi i linjave. Në Seint Pitersburg, shumë ndërtesa nuk po furnizohen as me ujë të pijshëm, ndërsa erërat shkatërruan çatinë e stadiumit të qytetit.
Mbi 2 mijë fluturime u anuluan. Urdhër evakuimi kanë marrë 5.9 milionë persona, ndërsa u është bërë thirrje banorëve të larguar të mos rikthehen në zonat e përmbytjeve, ndonëse shpejtësia e erërave është redukuar në afro 130 km/orë.
Sekretari i Sigurisë, Alejandro Majorka tha fuqia e Uraganit ka rënë, por rreziku është ende prezent. Presidenti Joe Biden tha të enjten se beson se Kongresi, anëtarët e të cilit janë aktualisht në pushim, duhet të kthehet në punë për të adresuar nevojat për financimin e ndihmës nga kjo fatkeqësi natyrore.
Ky është uragani i dytë që godet juglindjen e Shteteve të Bashkuara, pas uraganit Helene në fund të Shtatorit, që i mori jetën 232 personave.
Tv Klan