Lufta e Izraelit në Gaza ka varfëruar sistemin shëndetësor të territorit, duke bërë që stafi mjekësor të jetë i pafuqishëm për të trajtuar fëmijët e kequshqyer.

Ndërsa Izraeli vazhdon rrethimin e tij në Gaza, duke penguar grupet e ndihmës që të marrin ushqim të mjaftueshëm, prindërit thonë për CNN se nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të shikojnë fëmijët e tyre të vdesin nga uria në krahët e tyre.

Pas më shumë se 8 muajsh bombardime, infrastruktura është copëtuar, komunitetet janë zhdukur dhe janë shkatërruar lagje të tëra. Sistemet e kanalizimeve janë shkatërruar rëndë dhe sipas OKB-së, kanë reduktuar ndjeshëm ujin e pastër.

Një raport i publikuar nga Klasifikimi i Sigurisë Ushqimore të Integruar (IPC), i cili vlerëson pasigurinë ushqimore globale dhe kequshqyerjen, paralajmëroi se pothuajse e gjithë Gaza do të përballet me urinë  brenda tre muajve të ardhshëm. 

Agjencia e ushqimit e OKB-së paralajmëroi më herët se Gaza jugore mund të shohë së shpejti të njëjtat nivele katastrofike të urisë të regjistruara më parë në veri, ku Izraeli përqendroi ofensivën e tij ushtarake në ditët e para të luftës. 

Autoritetet palestineze kanë deklaruar së fundmi se të paktën 34 fëmijë kanë ndërruar jetë si pasojë e kequshqyerjes në Gaza. Numri i vërtetë mund të jetë më i lartë, pasi aksesi i kufizuar në Gaza ka penguar përpjekjet e agjencive të ndihmës për të vlerësuar plotësisht krizën atje. Në fillim të muajit Qershor, OKB tha se më shumë se 50 mijë fëmijë kërkojnë trajtim urgjent për kequshyerjen./tvklan.al