Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Bajram do të thotë begati, kënaqësi, gëzim dhe hare. Në këtë ditë feste në selinë e Komunitetit Mysliman Shqiptar, ka pasur shumë vizita urimi nga përfaqësues të partive politike, të trupit diplomatik, të komuniteteve të tjera fetare dhe shumë besimtarë. Urimi i parë në këtë ditë ka ardhur nga vetë kreu i Komunitetit Mysliman.
Selim Muça: “Do të doja të përshëndesja të gjithë besimtarët myslimanë kudo që ndodhen dhe mbarë kombin shqiptarë duke i uruar, Gëzuar dhe për shumë vjet festën e Fiter Bajramit! Ndërsa dy politikanët kryesorë të vendit Nano e Berisha, e kanë shfrytëzuar këtë festë për të vazhduar grindjet e tyre tradicionale. Nano ka sulmuar kundërshtarët jashtë partisë dhe brenda saj.
Fatos Nano: “Pavarësisht nga besimi, sot të gjithë festojnë Fiter Bajramin, ashtu siç pak më pas Krishtlindjet apo Pashkët më vonë, Bajramin e Madh gjithashtu dhe unë besoj se sherrxhinjtë, apo ata që i gërdufen tjetrit duhet të dalin nga këto shpia.”
Edhe Berisha ka shigjetuar kundërshtarin e tij historik.
Sali Berisha: “Është një ditë e madhe, ditë e shenjtë, është ditë e cila inspiron, frymëzon tolerance, mirëkuptim, frymëzon shpresë dhe besim. Besimi është forca më e madhe e njeriut dhe unë kam besim të madh, se Bajrami tjetër do t’i gjejë shqiptarët shumë më afër aspiratave të tyre do t’i gjejë të dalë nga ky spiral, i cili po rrënon në mënyrë të pamerituar qenien e tyre.”
Bajrami i Ramazanit nis me përfundimin e agjërimit 1 mujor dhe vazhdon tri ditë. Ky quhet edhe Fiter Bajrami, meqë gjatë muajit të Ramazanit jepet sadakaja e Fitrit, si detyrim falënderimi për arritjen e këtij muaji shëndosh e gëzuar./tvklan.al
Gazetare: Mimoza Koçiu