Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Për të rritur pjesëmarrjen e gruas në procesin e vendimmarrjes, Instituti Demokratik Amerikan, i mbështetur dhe nga USAID, ka nisur një seminar trajnimi me rreth 500 gra, kandidate të partive të ndryshme politike në vend, për kryetare komunash dhe bashkish. Sipas Arta Sakja, koordinatores shqiptare të këtij projekti, numri i vogël i femrave që kandidojnë në zgjedhjet lokale të Tetorit, tregon se jetojmë në një shoqëri maskiliste, e cila peshon edhe në jetën politike.

Arta Sakja:- “Është numri më i turpshëm që ka pasur ndonjëherë lëvizja e gruas në Shqipëri, si kandidatura, pasi kemi vetëm tre kandidatura për kryetare komune nga PD dhe 11 kandidatura për kryetare komunë nga PS dhe 1 kandidaturë për kryetare bashkie nga PS, nuk po përmend shifrat e partive të vogla, pasi dihet që mundësia e tyre për të fituar në këto nivele është shumë e pakët, por në nivelin e këshilltarëve komunal dhe këshilltareve bashkiake gjithsej bëhen në gjithë Shqipërinë 500 gra. Unë mund të them që është numri më zhgënjyes, që mund të kishte lëvizja e gruas”.

Ky seminar, ku trajnueset janë përfaqësueset e partive politike dhe që mbështeten nga forume politike të grave, sipas organizatorëve synon që të përmirësojë aftësitë e gruas në vendimmarrje./tvklan.al

Gazetare – Elja Zotka