Duket se 2024 është viti i Usher. Pas publikimit të albumit të tij “Coming Home”, spektaklit në Super Bowl dhe martesës me Jennifer Goicoechea në Las Vegas, këngëtari është gati për ekranin e madh.
Ylli i muzikës R&B do të nxjerrë një film më 12 shtator të titulluar “Usher: Rendezvous in Paris.” I xhiruar gjatë 8 shfaqjeve të tij në La Seine Musicale në Javën e Modës në Paris, filmi tregon 45-vjeçarin duke performuar hitet si “Love in This Club,” “My Boo” dhe “Yeah!”
Në një deklaratë, Usher shprehu entuziazmin për projektin: “Parisi ishte një eksperiencë shumë e veçantë për mua si artist dhe për admiruesit e mi. Shpresoj që ata që nuk mundën të gjendeshin aty të ndiejnë magjinë e koncertit dhe për ata që ishin, uroj që filmi të ofrojë një këndvështrim të ri”.
Filmi do të dalë në kinema një muaj pasi Usher të nisë turneun e tij Past Present Future më 14 gusht. Shfaqja e tij në më shumë se 2000 kinema ndërkombëtare do të jetë e limituar pasi do të zgjasë deri më 15 shtator.
Këngëtari ka premtuar se në turneun e tij do të përziejë nostalgjinë dhe inovacionin për të sjellë një eksperiencë të paharrueshme për admiruesit e hershëm e të rinj./tvklan.al