Komandot izraelite kanë gjetur trupin e një pengu të mbajtur në Khan Younis në Rripin jugor të Gazës, tre muaj pasi ai bëri thirrje për lirimin e tij në një video të lëshuar nga Xhihadi Islamik Palestinez.
Elad Katzir, një fermer 47-vjeçar nga Kibbutz Nir Oz, ishte në mesin e 253 personave që u rrëmbyen në 7 Tetor nga persona të armatosur palestinezë të udhëhequr nga Hamasi. Trupi i tij është kthyer në Izrael dhe u identifikua nga zyrtarët mjekësorë. Sipas ushtrisë izraelite ai u vra në robëri nga organizata terroriste Xhihadi Islamik.
Katzir u rrëmbye nga Nir Oz me nënën e tij Hanna që u lirua në nëntor së bashku me 104 pengje të tjerë gjatë një armëpushimi gjashtë-ditor në fund të nëntorit ndërsa babai i tij, u vra në kibuc nga militantët e Hamasit. Izraeli ka deklaruar të paktën 35 pengje të vdekur në robërinë e Gazës dhe disa janë vrarë edhe në sulmet izraelite.
Ndërkaq Organizata bamirëse e ushqimit World Central Kitchen ka bërë thirrje për një hetim të pavarur për vrasjen e shtatë anëtarëve të stafit të saj nga sulmet izraelite me dron në Gaza. Administrata Biden po përballet me presion në rritje nga disa demokratë për mbështetjen e saj ushtarake ndaj Izraelit.
Disa anëtarë të Kongresit, duke përfshirë ish-kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, nënshkruan një letër duke i kërkuar presidentit amerikan dhe Blinken të “rishqyrtojnë” autorizimin e një transferimi të paketës së armëve në Izrael.
Nga ana tjetër një delegacion i Hamasit do të mbërrijë në Kajro të dielën pas ftesës nga Egjipti për të diskutuar zhvillimet në një marrëveshje armëpushimi, teksa diskutimet ende nuk kanë përparime në horizont.
Klan News