Hamasi dhe Izraeli po kryejnë këtë të shtunë shkëmbimin e katërt të pengjeve izraelite me të burgosurit palestinezë, si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit të 19 Janarit për Rripin e Gazës. Grupi militant palestinez Hamas liroi 3 pengje të tjerë izraelitë, 2 prej të cilëve Yarden Bibas dhe Ofer Kalderon u dorëzuan në qytetin jugor të Gazës, Khan Younis.

Ashtu si edhe pengjet e tjerë më parë, të shoqëruar nga dhjetëra persona të armatosur, ata u panë të ngjiten në një podium të improvizuar, në sfond të të cilit gjendeshin foto e disa prej udhëheqësve të Hamasit të vrarë. Pasi përshëndetën me dorë, ata iu dorëzuan një përfaqësie të Kryqit të Kuq, e cila më pas i dorëzoi te forcat izraelite.

Kalderon është një shtetas franko-izraelit, ndërsa Bibas është babai i dy vajzave të cilat kur u rrëmbyen nga Hamasi ishin të moshës 9-muajshe dhe 4-vjeçare dhe që sipas grupit militant janë vrarë gjatë një sulmi izraelit.

Më vonë, Hamasi i dorëzoi Kryqit të Kuq në Portin e Gazës edhe shtetasin amerikano-izraelit, Keith Siegel. Në këmbim, Izraeli liroi më vonë gjatë ditës 182 të burgosur dhe të paraburgosur palestinezë. Që nga arritja e armëpushimit, Hamasi ka dorëzuar pesëmbëdhjetë pengje, ndërsa Izraeli ka liruar rreth 400 të burgosur palestinezë.

Tv Klan