Sulmuesit e Kombëtares, Myrto Uzuni dhe Rei Manaj u përfshinë në formacionet ideale të javës në Spanjë dhe Turqi. Golat e shënuar prej tyre me Granada në La Liga 2 dhe Sivasspor në Superligën e Turqisë bënë që të spikasnin këtë fundjavë.
Myrto Uzuni shënoi 2 herë në fitoren 4-0 të Granada me Tenerife. Për këtë mori notën 8.9 nga Sofascore dhe u vendos në krahun e djathtë të sulmit. Me 39 gola të realizuar prej Uzunit në total ai po afrohet me rekordin e shënuesit historik të këtij klubi marokenit Youssef El Arabi, i cili u ndal në kuotën 44.
Një fundjavë pozitive edhe për Rei Manajn, i cili luajti ndeshjen e parë pas më shumë se 1 muaji. Manaj la pas dëmtimin dhe shënoi 2 gola në fitoren 3-2 të Sivasspor ndaj Hatayspor, duke u bërë shok sulmi me Mauro Icardi e Galatasaray në ekipin më të mirë të javës. Nota e dhënë nga Sofascore për Manajn ishte 8.4.
Tv Klan