Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë në rrjetet sociale një postim në lidhje rindërtimin e shkollave të dëmtuara nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019. Mirëpo kreu i qeverisë teksa ka treguar se shkolla “Shaqir Lleja” në Bushnesh të Krujës është financuar 100% nga BE ka hasur në komentin e një qytetari i cili i ka kërkuar “llogari” për rritjen e çmimeve të ushqimeve.

“Bravo me këtë rast rriten çmimet e ushqimeve pak më shumë e rrogat po aq… Mos ndërto më shkolla se vajti kilja e vajit si kile mjalti”, shkruante qytetari.

Nuk vonoi kundërpërgjigja e Kryeministrit Rama. Teksa kreu i qeverisë i bën të ditur qytetarit se ndërtimi i shkollave nuk ka lidhje me vajin thotë se sistemi është ndërruar në vitin 1990 dhe nuk i përcakton shteti çmimet, por tregu.

“Po çfarë lidhje ka ndërtimi i shkollave me kilen e vajit! I dashur ne e kemi ndërruar sistemin në vitin 1990 dhe çmimet në këtë sistem i përcakton tregu, jo shteti, quhet kapitalizëm, jo komunizëm…”, shkruan Rama./tvklan.al