25 mijë dozat e vaksinës kundër gripit pandemik A H1N1 që gjenden në vendin tonë skadojnë në Nëntor të këtij viti, për pasojë të gjitha vaksinat rrezikojnë të  asgjësohen.

 

Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik shprehet se mundësia e përdorimit të tyre është tepër e vogël sepse ka gjasa që në vjeshtën e këtij viti vaksina që do të jetë për gripin sezonal të përmbajë edhe kampion të gripit pandemik.

 

Alban Ylli: “Si datë skadencë zyrtare të prodhuesit këto e kanë deri  në nëntor të këtij viti, por megjithatë me shumë gjasa kjo vaksinë nuk do të përdoret më. Një vendim përfundimtar bazuar në faktet shkencore, në eksperienca të tjera do të merret nga Komitetit i Vaksinimit. Ekziston një mundësi që kjo vaksinë të përdoret dhe në tetor të këtij viti për virusin e ri A H1N1 i cili mund të jetë duke qarkulluar. Megjithatë ka gjasa që specifikimet e vaksinës së re të kenë ndryshuar. Ta përfshijnë edhe këtë virus.”

 

Vaksina kundër gripit pandemik që alarmoi të gjithë botën, në vendin është aplikuar vetëm në masën 5%, ndërsa pjesa tjetër është stok pranë ISHP-së. 

 

Ndërkohë  në vendin tonë situata e gripit pandemik duket e kaluar. Dy rastet e fundit të prekura nga virusi A H1N1 janë gjetur në fillim të muajit Shkurt./tvklan.al

 

Gazetare: Brunilda Cami