Partia Socialiste ka vazhduar të hedhë poshtë arritjet e qeverisë në këto shtatë muaj të prezantuar gjatë një konferencë për shtyp nga kryeministri Berisha jo më larg se dy ditë më parë.

Valentina Leskaj: “Kryeministri foli për bum në investime, kur investimet si gjashtëmujori janë realizuar vetëm 26.5% e programit vjetor. Kryeministri foli për infrastrukturë, por ende nuk ka siguruar më shumë se 10% të fondeve. Mesa duket kryeministri nuk e di, apo bën sikur nuk e di, se sot shqiptarët paguajnë 30 deri 80% më shumë për energjinë elektrike, për të blerë bukë, për të blerë oriz, për të blerë sheqer, për të blerë artikujt e tjerë jetësor, ndërkohë që qeveria nuk ka harxhuar për këtë shtatë mujor asnjë lek për të bërë kompensime lidhur me energjinë elektrike”.

Duke iu referuar raporteve ndërkombëtarë të Departamentit Amerikan të Shtetit, CIA, USAID dhe Transparence International, ku publikohen të dhëna për përkeqësimin e fenomeneve si korrupsioni apo trafiqet sipas kryetares së grupit parlamentar socialist, Leskaj, kryeministri dhe kabineti i tij po përpiqen ta kthejnë korrupsionin në një histori suksesi.

Valentina Leskaj: “Kryeministri foli për sukseset politike, përfshirë edhe privatizimin që i bëri marrjes së ftesës për në NATO, ndërkohë që në Uashington siç është bërë e njohur nga burimet diplomatike po rritet shqetësimi për hapa mbrapa”./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka