Kryetari i Partisë së të Drejtave të Njeriut Vangjel Dule nuk konfimron, por as nuk mohon përçarje në partinë e tij. Ai lë evazive shkëputjen e përfolur të dy deputetëve Goxhi e Karamelo e bashkimin e tyre Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Vangjel Dule: “Si fakt më të thjeshtë do t’ju paraqisja përgjigjen që vetë zoti Karamelo ju ka dhënë shumë prej këtyre spekulimeve dhe hipotezave në shtyp, ku thotë se lidhur me shkrimin e një të përditshme të datës 11.07.2004 me titull “Dy deputetët të PBDNJ-së i bashkohen Metës”, jam i detyrar të shpreh habinë time për këtë shpifje dhe njëkohësisht ta përgënjeshtroj atë lidhur me të gjitha thëniet e vendosura në emrin tim. Nuk mund të ndalojnë askënd nga drejtuesit e partisë dhe aq më tepër deputetët e partisë të shprehin qëndrimet e tyre qoftë edhe në rastin kur ato mund të jenë kundër interesave të partisë, veçse në këtë aspekt duhet të shikojmë disa elemente tepër thelbësore. Në radhë të parë, zoti Karamelo dhe zoti Goxhi sikurse dhe unë personalisht jemi deputetë të zgjedhur me listën proporcionale të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Nuk është një mandat i fituar në mazhoritar. Qëndron gjithmonë ana e pariparueshme morale, një borxh i pashlyeshëm ndaj forcës politike që na ka zgjedhur.”

I pyetur për rishikimin e qëndrimit të kësaj partie në koalicionin për integrim Dule, vendimin për këtë ia ka lënë kryesisë. Por duket i vështirë largimi duke ditur borxhin moral që i ka PBDNJ-ja Partisë Socialiste. Kryetari Dule është kundër ndryshimeve në qeveri.

Vangjel Dule: “Ajo që kërkohet është ndryshim konceptesh, është ndryshim strategjish, është rirenditje prioritetesh dhe mendoj se në situatën tejet të polarizuar të realitetit të sotshëm politik as koalicioni për integrimin, as Partia Socialiste, asnjë prej drejtuesve të saj nuk mund të sjellin diçka të re.”

Kryetari Dule i kushton rëndësi reformës zgjedhore duke i bërë thirrje të gjitha partive t’i japin fund këtij debati. /tvklan.al