Më shumë se 50 persona kanë ndërruar jetë gjatë 3 ditëve të fundit në Indi si pasojë e temperaturave ekstreme të ngrohta në disa pjesë të vendit. BBC News raporton se rreth 33 persona kanë ndërruar jetë në shtetin verior të Uttar Pradesh gjatë fundjavës për shkak të të nxehtit.
Ndërkohë, në shtetin Odisha, rreth 20 të tjerë kanë humbur jetën për shkak të goditjes nga nxehtësia. Lajmin e konfirmoi një zyrtar për agjencinë e lajmeve ANI. Shumica e humbjeve të jetëve u raportuan më 1 Qershor, ndërsa në Indi mbahej faza e fundit e votimeve për zgjedhjet e saj të përgjithshme. Vdekje të dyshuara të lidhura me nxehtësinë janë raportuar gjithashtu nga shtetet e Bihar, Madhya Pradesh dhe Jharkhand.
Në Uttar Pradesh, disa policë vullnetarë, zyrtarë të votimit, roje sigurie dhe staf sanitar ishin midis atyre që ndërruan jetë gjatë fundjavës. Navdeep Rinwa, shefi zgjedhor i shtetit tha për gazetarët se familjeve të personelit zgjedhor të vdekur do t’u jepej një kompensim monetar prej 18 mijë Dollarësh. Rinwa tha gjithashtu se një personi që po qëndronte në radhë për të votuar i ra të fikët për shkak të vapës. Fatkeqësisht, votuesi ndërroi jetë në spital.
Rezultatet e zgjedhjeve pritet të shpallen më 4 Qershor. Çdo 5 vjet, India mban zgjedhjet e saj të përgjithshme në muajt Prill dhe Maj. Por këtë vit, temperaturat e larta kanë arritur rekorde, ndërsa vendi po përjeton valë të nxehta të shpeshta, më intensive dhe më të gjata.
Ministria e Shëndetësisë thotë se ka pasur të paktën 56 vdekje të konfirmuara nga goditjet e nxehtësisë nga 1 Marsi deri më 30 Maj. Gjatë kësaj periudhe, janë raportuar rreth 24,849 raste të goditjes nga nxehtësia. Temperaturat në Indinë Veriore, Qendrore dhe disa pjesë të Perëndimit kanë qenë tejet të larta që kanë lëvizur rreth 45-46 gradë Celsius, duke u ngjitur edhe në 50 gradë në disa zona./tvklan.al