Çekia nuk do të firmos traktatin e Lisbonës për sa kohë gjykata kushtetuese e këtij shteti nuk do të shprehet mbi këtë çështje.

Konfirmimi vjen nga presidenti çek, Vaslav Klaus, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me homologun e tij shqiptar Bamir Topi, pas takimit që ata kanë patur në Tiranë, ku Klaus ka ardhur për të zhvilluar një vizitë 2 ditore.

Vaslav Klaus: “Pavarësisht dëshirës sime Çekia për momentin e ka të pamundur të ratifikoj traktatin e Lisbonës. Kjo pasi duhet të shprehet më parë gjykata kushtetuese, pas kërkesës së bërë nga një grup senatorësh  të senatit çek për të bërë interpretimin kushtetues mbi këtë çështje.”

Gjatë takimit 2 presidentët kanë folur mbi ecurinë e procesit të integrimit të vendin tonë në strukturat e Bashkimit Evropian, proces për të cilin kreun i republikës Topi ka deklaruar se forcat politike në vend duhet të tregojnë vullnet për të bashkëpunuar.

Bamir Topi: “Ka mjaft çështje edhe në retrospektivën e afërt, ku përtej mosmarrëveshjeve janë arritur konsensuse të rëndësishme. Përveç se apelit për bashkëpunim që vjen nga presidenti tërë vullneti për bashkëpunim është tek partitë politike. Ajo që kërkohet nga Evropa e bashkuar është vazhdimi i reformave dhe në mënyrë të veçantë reformat në fushën e drejtësisë. Unë jam i bindur që nuk do të ketë asnjë lloj pengese nga askush për të pasur kurajën që të pengojë integrimin e Shqipërisë në BE.”

Një çështje tjetër me rëndësi që kanë ndarë 2 presidentët Topi e Klaus ishte dhe rritja e bashkëpunimit ekonomik, veçanërisht në fushën e turizmit.

Në vizitën e tij të parë në Tiranë, Klaus është shprehur i entuziazmuar për bukuritë natyrore të vendit tonë por dhe për kushtet klimaterike që mbizotërojnë në këtë stinë në vendin tonë.

Vaslav Klaus: “Unë shpresoj që televizioni çek sot në mbrëmje do ti bëjë të qartë teleshikuesve që në mes të tetorit temperatura në Tiranë shënon 24 gradë, kjo është ftesa më e mirë që mund tu bëhet turistëve çek për të vizituar Shqipërinë.”

Presidenti Klaus është pritur në takime gjatë paradites së hënë dhe nga kreu i ekzekutivit Berisha dhe kryeparlamentarja Topalli.

Në këtë takim kryeministri Berisha ka shprehur mirënjohjen e tij për mbështetjen e Çekisë në proceset integruese euroatlantike të vendit tonë.

Nga ana e tij presidenti Klaus tha se në këto vite Shqipëria ka pësuar ndryshime të mëdha falë reformave rrënjësore të qeverisë së zotit Berisha.

Ai shtoi se marrëdhëniet politike dhe ekonomike të dy vendeve janë në nivele të larta dhe do të pasojnë zhvillime pozitive dhe në të ardhmen.

Sipas kreut të republikës çeke ka interes të madh të turistëve, por dhe investitorëve çek për të marrë pjesë në projektet e rëndësishme infrastrukturore në vendin tonë./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka