Lajme Arkiva 2003

Nuk kanë munguar edhe sot debatet në komisionin e hetimit anti-Rama. Kryetari i komisionit Sokol Olldashi ka kërkuar të prezantoj 3 dosjet e reja të opozitës ku tregohen abuzimet financiare të Bashkisë së Tiranës, por sjellja e dosjeve të reja në komisionin e hetimit është kundërshtuar nga mazhoraca.

Deputeti Fatmir Xhafa ka kërkuar që komisioni më parë të përfundoj shqyrtimin e dosjeve të vjetra ku të jepen edhe opsionet e socialistëve dhe më pas të dëgjohen dosjet e reja.

Fatmir Xhafa: Për këtë arsye unë të kërkoj edhe njëherë që ta rishikosh, siç të kam kërkuar që ditën e parë që të rishikosh mënyrën se si po procedojmë si komision hetimor parlamentarë që në vend që ti shqyrtojmë çështjet në kompleksin e tyre duke i vënë çështjet përballë personave që akuzojmë. Sepse ne këtu po akuzojmë njerëz të cilët nuk janë të pranishëm. Në këtu po akuzojmë institucione që nuk kanë përfaqësues. Por thjeshtë të kam thënë mos vazhdo të recitosh, të ligjërosh ato që të kanë shkruar te partia jote.

Ndërsa komisionari Lekë Çukaj ka kërkuar që gjatë shqyrtimit të dosjeve me abuzime në sallë të jenë prezentë edhe specialistët e bashkisë.

Lekë Çukaj: Paraqitet dokumentacioni apo pretendimi nga ana juaj dhe pas kësaj menjëherë unë them, aty prezentë të jenë të interesuarit për këtë. Domethënë të jenë ata që në njëfarë mënyre me emra apo pa emra akuzohen, institucioni, të kemi ekspertizën e nevojshme prezente, me qëllim  që të kemi mundësi për të na dhënë përgjigje ne që do të pyesim. Këtë e bëj për një problem që është edhe politik edhe moral.

Socialistët kanë këmbëngulur që këto kërkesa të merren parasysh që në mbledhjen e radhës,  në të kundërt puna e komisionit do të ndërpritet. Vetëm më pas zoti Olldashi ka prezantuar dosjet e reja mbi “Këmbanën e paqëes” dhe prokurimin e të dyja fazave për rrugën Myslym Keta.

Sipas zotit Olldashi të treja dosjet paraqesin abuzime financiare. E ndërsa për të parën organi i Prokurorisë ka nisur hetimet, për dy dosjet e tjera të rrugës “Mylsym Keta” punimet e së cilës janë kryer nga firma 2K Group, kryetari Olldashi ka kërkuar që i gjithë materiali ti kalojë prokurorisë për hetim të mëtejshëm.

Sokol Olldashi: Ritheksojmë kërkesën e marrjes së provave për këtë rrugë duke patur parasysh se argumentohet për të dy fazat një vjedhje prej 576. 480.000 Lekësh të vjetra ose afërsisht 50% e vlerës së objektit, dosja duhet ti dërgohet prokurorisë për të filluar ndjekje penale gjatë shkaktarëve të kësaj situate dhe titullarëve e të bashkisë përfshirë zotin Edi Rama.

Pas dëgjimit të tre dosjeve të reja anëtari socialist i komisionit Musa Ulqini i është rikthyer diskutimit për dosjen e Shën Valentinit, paraqitur dy ditë më parë në komision. Ai tha se opozita ka paraqitur vetëm një pjesë të kësaj doje pa përmendur aprovimin e saj në disa institucione./tvklan.al