Vazhdojnë ndërprerjet e energjisë elektrike jo vetëm në kryeqytet por në të gjithë vendin. Shirat e rrëmbyeshëm që kanë përfshirë vendin duket se nuk kanë pasur asnjë ndikim në përmirësimin e situatës. Liqeni i hidrocentralit të Fierzës vazhdon të mbetet në kuota mjaft të ulëta të cilat nuk janë në gjendje të zbusin mungesën e theksuar të energjisë.
Burime pranë Korporatës Elektroenergjetike shqiptare njoftojnë se kursimi i prurjeve në liqenin Fierzës, do të përmirësonte situatën në stinën e dimrit si edhe shtimin e prodhimit vendas që për momentin nuk i kalon 5 milion kilovat orë në ditë.
Përveç motit me shira që nuk i ka favorizuar aspak përmirësimin e situatës në vend rreth 850 mijë banorë të prefekturave Elbasan dhe Korçë kanë mbetur për disa orë pa energji elektrike si pasojë e daljes jashtë pune të linjës 110 kilovolt Elbasan-Korçë.
Burime nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare njoftojnë se janë marrë të gjitha masat për vënien në punë të kësaj linje edhe pse ka pasur kufizime të pjesshme gjatë gjithë ditës në këtë zonë./tvklan.al