Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Kjo është rruga e rivierës, ndërtuar në vitin 1920, nga Vlora në Sarandë. Brigada xhenio ndërtuese, ka marrë përsipër të zgjerojë segmentin e rrugës nga Qafa e Llogorasë deri në Palas, gjithsej 12 kilometra rrugë. Për të parë ecurinë e punimeve, pas kryeministrit Meta, sot ka zbritur kreu i shtetit shqiptar Rexhep Mejdani. Ai është shoqëruar edhe nga ambasadori italian Bova.
Presidenti Rexhep Mejdani:- “Kjo është një punë që po bëhet nga një nga njësitë tona më të mira, të forcave të armatosura, në shërbim të qytetarit, në shërbim të zhvillimit, njëkohësisht dhe në shërbim të vetvetes”.
Këto forca nga një rrugë të ngushtë prej tre metrash, me shpërthimet dhe punën e tyre, kanë arritur ta çojnë atë deri në 7.5 metra. Janë gërmuar mbi 20 mijë metër kub shkëmb, janë kryer mbi 18 mijë shpërthime. Në këtë punë janë aktivizuar 136 forca ushtarake xheniere.
Për zgjerimin e segmentit Qafë Llogora – Palas, janë duke punuar 27 mekanizma e mjete gërmimi, shpuese e transportuese. Afati që do të shënojë përfundimin e kësaj rruge është muaji Prill, por për drejtuesit e brigadës, vështirësia mbetet stina, dita e shkurtër dhe trafiku. Përfundimi i zgjerimit të kësaj rruge nga repartet e xhenios, do t’i paraprijë fluksit të pushuesve e turistëve gjatë verës që vjen./tvklan.al
Gazetare – Holta Zhiti