Zhurma me bilbil përpra Amabsadës Italiane ka për qëllim të kujtojë se të rinjtë pa viza duan një përgjigje. Studentët, që iu është refuzuar viza, kanë 9 ditë që protestojnë, por nuk kanë marrë asjjnë përgjigje. Shkolla ku ata janë regjistruar fillon pas pak ditësh, po kështu pjesa e mbetur s’ka kohë për përgatitje për të konkurruar në universitetet shqiptare.
“Tani çdo gjë është shumë e ngatërruar dhe e komplikuar, por ne presim. Çdo gjë nga ana jonë është e qartë. Ne duam vizat, sepse na është premtuar që në fillim. Në datën që ne kemi dhënë intervistën p.sh. më 2 gusht dhe në 30 na kanë premtuar të shkojmë dhe të marrim vizën. Tani unë pres vizën.”
Gazetarja: “Viza t’u anulua?”
“U anulua viza. Dhe thjesht nxjerrin si pretekst që nuk njohim gjuhën në një kohë që ditë më parë është deklaruar se e njohim gjuhën dhe kemi të drejtë të studiojmë.”
Ndërsa lëvizjes “MJAFT!”, që vetëm i ka mbështetur, i është bërë një thirrje për në prokurori. Paraqitja e saj është e shpeshtë, shprehet drejtuesi Veliaj.
Erion Veliaj: “Kjo është e pesta herë që ka një kallëzim penal për lëvizjen “MJAFT!” në prokurori. Tashmë duhet ta pranojmë, me kaq herë është bërë një rutine deri diku tallëse dhe ironike nga ana jonë. Ajo që do të preferonim është që organet e policisë, ndërkohë që Shqipëria ende renditet me kriminalitet të lartë, qoftë administrativ-politik, qoftë krimit të përditshëm, duron që policia e shtetit me taksat tona të shfrytëzonte kohën e vet më mirë me ato që janë realisht problemet e rendit në Shqipëri. Thjesht kemi mbështetur atë që na dukej një shqetësim i drejtë i disa qytetarëve, në rastin konkret studentët që kërkonin një vizë nga Ambasada Italiane. Këtë do ta bëjmë me cilindo grup qytetarësh dhe, nëse vërtet ky është problemi i rendit në Shqipëri, atëherë rendi është ku thërret qameti.”
Të rinjtë nuk do t’i largohen dyerve të kësaj ambasade deri në marrjen e një përgjigjeje. Shpresat e vakëta i kanë detyruar të kërcënojnë se do të hyjnë edhe në grevë urie. /tvklan.al