Në takimin me socialistët e Kamzës, drejtuesi politik i PS-së për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj tha se opozita që djeg goma sot, është po e njëjta me ata që dje bllokonin këndet e lodrave për fëmijë në Tiranë.
“Ata që qeverisnin Kamzën dhe Tiranën deri dje, erdhën me pistoletë për ta prishur. I keni parë si vijnë vërdallë nëpër Tiranë, djegin goma? I keni parë sesi në fushatë xhirojnë gomat, kurse kur humbasin djegin gomat? Jemi në 2024 dhe artikulimi politik me zjarr, me molotovë, me bomba, me vulgaritet, me të shara është diçka që i përket të kaluarës, jo vetëm të kaluarës së Shqipërisë, por të kaluarës së botës”.
Veliaj nënvizoi se PS-ja është e vetmja forcë politike, e cila flet me vepra, duke dhënë dhe lajmin se Tirana dhe Kamza do të lidhen shumë shpejt edhe me disa ura të tjera veç asaj të Babrrusë, duke shtuar kështu lidhjet ekonomike mes dy qyteteve.
Duke u ndalur tek projektet e së ardhmes, kryebashkiaku Veliaj tha se Zona e Lirë Ekonomike njohur ndryshe si TEDA Tirana, do të gjenerojë vende pune edhe për Kamzën.
Tv Klan