Demokratët kërkojnë prej tre muaj që SPAK-u të bëjë bashkë në qelitë e paraburgimit të arrestuar për dosjen 5D dhe kryebashkiakun Veliaj, por ky i fundit ju kujton opozitarëve se ndryshojnë qasje për punën e strukturës së posaçme në varësi të emrit të rrugës ku protestojnë.
“Kur janë te ajo rrugica para bashkisë, thonë Rroftë Drejtësia. Kur janë te rrugica “Mustafa Matohiti”, thonë Poshtë Drejtësia. Kurse ne themi, kush ka bërë gabime, të shkojë t’i sqarojë. Ç’është kjo dyfytyrësi? Si mund të ndryshosh qëndrim për 30 minuta?! Ndaj miq, nuk është vetëm dëshirë dhe pasion, është detyrë patriotike të vazhdojmë të fitojmë, të drejtojmë Shqipërinë dhe Tiranën”, tha Veliaj.
Edhe pse festa e themelimit të Partisë Socialiste ishte më 12 Qershor, Veliaj vijon turin e nisur për 33-vjetorin e kësaj force duke falenderuar kontribuuesit në çdo njësi bashkiake. Në njësinë 7, ai nuk i kurseu lëvdatat për kryetarin e partisë së tij që siç tha është i vetmi që mund ta çojë Shqipërinë drejt anëtarësimit të plotë në 2030.
“Ambicia jonë është që në 2030 Shqipëria të jetë anëtare e BE-së. Vetëm Edi Rama dhe PS mund ta ngrejë atë flamur, nuk ka asnjë iluzion për këtë”.
Tv Klan