Shqipëria mbetet e qartë në aspiratat e saj europiane. Është kjo deklarat e kryebashkiakut Erion Veliaj gjatë mbjelljes së pemëve tek varret e dëshmorëve në këtë prag të 80-vjetorit të Çlirimit.

“Kombet që nuk dinë nga kanë ardhur, nuk dinë as ku po shkojnë. Fakti që edhe kryeministri dhe gjithë qeveria ka këtë vokacion për të qenë drejt BE, do të thotë se jemi shumë të qartë ku po shkojmë sepse kemi qenë të qartë edhe para 80 vitesh. Kemi qenë të qartë edhe para 112 vitesh, kur u shpall Pavarësia, se aspirata e Shqipërisë ishte futja në familjen europiane të kombeve”, shprehet Veliaj.

Me mbjelljen e pemëve në këtë periudhë festash, Bashkia e Tiranës ka nisur fushatën e përvitshme që synon krijimin e më shumë hapësirave të gjelbra për një qytet më të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm.

“Më vjen mirë që sot bashkuam dy breza dhe filluam masivisht fushatën e mbjelljeve. Kemi pritur sa të fillojnë shirat dhe toka të jetë me lagështirë mjaftueshëm, që të jetë ideale për mbjelljet. Nga tani nuk do i ndahemi lopatës. Por, kur ka edhe kuptim, kur ka edhe simbolikë, dhe kur shikojmë që të dy brezat përqafojnë njëri-tjetrin, është një gëzim i jashtëzakonshëm”, tha Veliaj.

Me rastin e festave të 28-29 Nëntorit Bashkia e Tiranës ka përgatitur një axhendë të ngjeshur me aktivitete të shumta social kulturore.

Tv Klan