Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Trajko Veljanovski, i ka dërguar sot ftesë presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu për të marrë pjesë në ceremoninë solemne të inaugurimit të presidentit të ri të Maqedonisë, George Ivanov, që do të mbahet më 12 Maj në parlamentin e Maqedonisë.

Lajmi është konfirmuar nga kabineti i presidenti Sejdiu, ku nuk përjashtohet mundësia që në inaugurimin e Ivanovit të marrë pjesë ndonjë delegacion kosovar i nivelit më të ulët për t’i dërguar kështu Shkupit mesazhin e pakënaqësisë ndaj hamendjes së autoriteteve atje për të ftuar ose jo presidentin kosovar.

Ftesa për Sejdiun ka ardhur pas presioneve të partive shqiptare në Maqedoni, të cilat kanë paralajmëruar mundësinë për bojkot të kësaj ceremonie, për shkak të mosftesës së Sejdiut.

Megjithatë pas kësaj ftese është e qartë se ceremonia e inaugurimit të presidentit të ri nuk do të bojkotohet nga Bashkimi Demokratik për Integrim dhe nga Demokracia e Re, ndërsa Partia Demokratike Shqiptare pritet të mbetet në vendimin e saj për bojkot, sepse nuk e njeh Ivanovin si president legjitim të shqiptarëve.

Televizioni Klan ka mësuar se pas ftesës së Sejdiut, tani është në pikëpyetje prezenca e presidentit serb, Boris Tadiç, i cili më herët kishte paralajmëruar pjesëmarrjen e vet në inaugurimin e Ivanovit.

Burime nga Ministria e Punëve të Jashtme në Maqedoni thonë se gjatë qëndrimit në Shkup tre ditë më parë, Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Vuk Jeremiç, ka paralajmëruar autoritetet e Shkupit se presidenti Tadiç vështirë se do të marrë pjesë në ceremoni në rast se ftohet Sejdiu./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle