Një vit nga vrasja makabre e Liridona Ademajt në Kosovë, e cila dyshohet së është porositur nga bashkëshorti i saj Naim Murseli, vëllai i të ndjerës Liridona Ademaj ka dhënë një prononcim për gazetarin e Klan News, Besard Jacaj. Ai tregon dhimbjen që familja ka përjetuar dhe kërkesën për prokurorinë.

Leonard Ademaj, vëllai i Liridona Ademajt: Po bëhet 1 vit që nga vrasja e Liridona Ademaj. Ne si familje jemi në kontakt të vazhdueshëm me prokurorinë për aq sa ata po munden të na gjejnë kohë, edhe pse ne do të kishim dashur që të takohemi më shpesh. Sidoqoftë, vrasja e Liridones është një ndër rastet me të rënda që ka ndodhur, si për nga natyra e viktimës, ashtu edhe për nga veprimet kriminale e dinake nga një burri kundër një nëne para fëmijëve të tyre. E kuptojmë që prokuroria duhet të përgatisë akt-akuzën sipas ligjit dhe në mënyrë profesionale dhe për këte ka afat ende në bazë të ligjit. Por ngritja e një akt-akuze sa më shpejt dhe dënimi më maksimal (për Naim Murselin) që parasheh Kodi Penal i RKS është një lehtësim për ne si familje dhe për të gjithë popullin sakrifikues e dashamirës të Kosovës.

Sa i takon shkakut të ngjarjes, ai shprehet i rezervuar në dyshime.

Leonard Ademaj, vëllai i Liridona Ademajt: Ne si familje, nuk kemi patur asnjë ballafaqim me Naim Murselin. Sa i takon shkakut të ngjarjes, presim që prokuroria dhe hetuesia të dalin me përgjigjet e tyre.

Leonard Ademaj tregon edhe skenarin makabër që i mori jetën motrës së tij, nga burri që ia kishin besuar përjetësisht.

Leonard Ademaj, vëllai i Liridona Ademajt: Vrasja e Liridona Ademaj ka ndodhur në bashkëkryerje duke u planifikuar, duke u gjetur ekzekutori, duke blerë armën dhe se bashku të tre, duke organizuar dhe ekzekutuar vrasjen e gruas së bashkëkryesit Naim Murseli, sipas porosisë së tij në mënyrë shumë dinake. Pra, është bërë tërësisht e qartë se Naimi ka kërkuar nga Kushtrimi që t’i ndihmojë ta vrasë Liridonën duke i dhënë mbështetje në planifikimi e organizimin e vrasjes, duke i gjetur një person që e njeh se mund ta kryejë këtë punë. Ai (Kushtrimi Kokalla) kishte gjetur dorasin Granit Plava si personin e përshtatshëm, sipas Kushtrimit. Sipas planifikimit të tyre i kishin kërkuar Granitit të ekzekutonte planin, i cili në natën kritike, sipas koordinimit, e ekzekuton motren tonë duke e mbajtur shtrëngueshëm për krahu Naimi, në veture në prezence të dy fëmijëve të mitur. Është e paparamendueshme se si është ndjerë motra ime (e tradhtuar dhe e pambrojtur nga personi që duhet ta mbronte) në atë moment kur vetura i është ndalur me dinakëri gjasme si rezultat i një hajduti, e ku papritur është shtrenguar për krahu nga vetë burri i saj. Krahas mungesës (së Liridonës) deri në amshim që do të kemi, kjo është gjëja që edhe ne si familje e edhe fëmijët po e vuajnë më shumë.

Ademaj tregon edhe gjendjen e fëmijëve të çifit.

Leonard Ademaj, vëllai i Liridona Ademajt: Jemi në kontakt të vazhdueshëm edhe me fëmijët, të cilët gjenden nën kujdesin e socialit dhe organeve kompetente në Suedi, që falenderojmë per angazhimin e tyre. Fëmijet i brengos më së shumti fakti se ishin në veturë dhe se si babai i tyre e shtrengoi krahun e nënës së tyre në momentin kritik që vrasja të kryhej sa me lehtë.

Në fund, ai e mbyll me një mesazh.

Leonard Ademaj, vëllai i Liridona Ademajt: Falenderojmë të gjithë për ngushëllimet, bashkëndjerjen e dhimbjes dhe solidarizimin me ne si familje dhe rastet e ngjajshme në Kosovë, që shpresojmë të mos përsëriten më kurrë!

/tvklan.al