Tirana duket se ka lënë pas prej disa kohësh kosin në qarkullim. Amullia që jo pak herë e kemi ndeshur në rrugët e saj, tashmë ja ka lënë vendin një trafiku normal, të lëvizshëm dhe pa ngërçe. Vendosja e sinjalistikës së re rrugore, implementimi i një plani të përgjithshëm për lëvizjen e automjeteve jo vetëm në rrugët kryesore por dhe në blloqet e banimit, i ka dhënë frymëmarrje qarkullimit në çdo cep të metropolit shqiptarë dhe përdorimi i makinave tashmë nuk është më ferr për qytetarët.
Kontrollet sistematike të policisë rrugore dhe zbatimi i strategjive të reja të këtij komisariati, janë një prej arsyeve nga ana tjetër dhe vetë qytetarët duket se janë sensibilizuar me respektimin e kodit rrugorë, i cili tashmë kërkohet rreptësishtë nga çdo punonjës i qarkullimit. Patrullimet në çdo nyje apo aks kyç kanë sjellë rezultate që ndoshta nuk priteshin. Për këdo që thyhen rregullat policia ka rezervuar masa të rënda ndëshkuese.
Sot në rrugë nuk mund të parkosh vend e pa vend, nuk mund të kalosh pa respektuar semaforin, nuk mund të qarkullosh pa rripin e sigurimit, apo duke shkelur shenjat e qarkullimit. Rregulla të parashikuara në kodin rrugor që prej vitit 1998, por tashmë respektimi i tyre është kthyer në një pjesë të punës së përditshme të policisë rrugore dhe prioriteteve të saj./tvklan.alGazetare: Anduena Llabani