Veriu i Italisë është përfshirë nga moti i keq që ka shkaktuar përmbytje të fuqishme në disa qytete. Departamenti i Mbrojtjes Civile ka shpallur një gjendje alarmi të kuq për pjesën më të madhe të Venetos dhe alarm portokalli për Lombardinë dhe Friuli Venezia Giulia. Autoritetet kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në Veneto ku më shumë se 100 milimetër shi ra në pak orë duke bërë që disa përrenj të dalin nga shtrati.
Shkollat dhe disa institucione janë mbyllur ndërsa dëmet janë të mëdha me pemë të rrëzuara dhe ura të shkatërruara për shkak të përmbytjeve.Një 66 vjeçar rezulton i zhdukur në Veneto, ndërsa autoritetet janë vendosur në dispozicion për të evakuuar qindra familje.
Në zonën e Lombardisë, lumi Po ka arritur pikën kritike dhe rrezikon të dalë nga shtrati. Zjarrfikësit shpëtuan disa njerëz të bllokuar në makinat dhe shtëpitë e tyre në zonat e përmbytura, dhe kryen 100 operacione në zonat përreth Milanos, Vareses dhe Kremonës.
Ndërkaq moti i keq ka përfshirë edhe SHBA-në. Një stuhi e fortë shoqëruar me erëra të forta, vrau katër persona në Hjuston.
Rënia e disa shtyllave të tensionit të lartë la pa energji elektrike mbi 800 mijë shtëpi. Erërat e forta dhe shirat e dendur goditën Luizianën duke përmbytur rrugët. Reshjet në dy javët e fundit kaluan 600% të normës, sipas Shërbimit Kombëtar të Motit.
Meterologët kanë paralajmëruar përmbytje të fuqishme në shumë qytete përgjatë fundjavës, ndërsa autoritetet i kanë bërë thirrje njerëzve që të mos udhëtojnë nëse nuk është e nevojshme pasi moti gjatë orëve të ardhshme paraqet një rrezik të lartë. Përmbytjet do të prekin pjesën më të madhe të Teksasit lindor dhe Luizianën perëndimore, Misisipin jugor dhe Alabamën.
Klan News