Shërbimet ofrohen nga strukturat paralele serbe
Janë bërë dhjetë muaj që kur ka ndodhur përleshja ndërmjet protestuesve serbë dhe KFOR-it ku mbetën dhjetëra ushtarë të lënduar. Tash pas dhjetë muajsh gjithçka është e qetë. Qytetarët tashmë nuk janë në rrugë. Ata dalin vetëm për të shëtitur, por jo për të protestuar.
Brenda komunës së Zveçanit punonin qytetarë shqiptarë e disa serbë, ndërsa të gjitha zyrat përfshirë edhe postën e Kosovës ishin funksionale. Qytetarët serb kryenin shërbime, por nuk dëshironin të identifikoheshin para kamerave.
Disa metra larg komunës, pikërisht në vendin ku protestonin serbët vitin e kaluar, tashmë ishin vendosur dy tenda. Aty, zyrtarët e strukturave paralele serbe kryenin shërbime po ashtu për qytetarët serbë.
Ndonëse në shikim të parë, gjithçka duket e qetë, situata e sigurisë në këtë pjesë të Kosovës konsiderohet e brishtë me mundësi eskalimi. KFOR-i tashmë është larguar nga hapësirat para objekteve të komunave, e për siguri po kujdeset një numër i vogël i Policisë së Kosovës.
Tv Klan